Politike

Gazetari grek i kujton Arta Vorpsin/ Rama ‘fal’ Belerin: Jo zgjedhje në Himarë pa mbylljen e gjyqit

Gazeta Si - Gazetari grek në intervistën e  gjatë për "Kathimerini", e ka përqendruar në çështjen “Beleri”, kryebashkiaku i zgjedhur I Himarës, i arrestuar për korrupsion në zgjedhje.

Madje ai ka insistuar se pse nuk po realizohej betimi i tij si kryebashkiak i Himarës, duke i kujtuar si një precedent rastin e Arta Vorpsit, që u betua jo te presidenti, por te noteri si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Një rast i paprecedent që nuk u pranua nga presidenti i asaj kohe, Ilir Meta, por edhe më pas dhe nga mazhoranca në heshtje.

Rama iu kundërpërgjigj se nuk janë rastet të ngjashme dhe se e vetmja mundësi që Beleri të betohet, janë vendimet e gjykatave. Pra sipas tij, nuk ka asnjë kompetencë nga qeveria që të ndërmarrë një diçka të tillë.

"Të marrë leje për betim, në legjislacionin shqiptar nuk ekziston fuqia te qeveria po kryeministri që të nxjerrë nga burgu një të parandaluar që të lërë burgun, kjo nuk ekziston. Nga ana tjetër ai avokatët e tij duhet të kalojnë përmes gjykatës. Nuk ka diçka të tillë që duhet të marrë leje ndërkohë që është në paraburgim, për një krim në flagrancë, ndërkohë që gjykata e ka refuzuar. Në tre nivelet e gjykatës ai nuk u la i lirë! Ku hyn qeveria apo qeveria shqiptare në këtë", theksoi Rama.

Pyetjes nëse do të mbaheshin zgjedhje të reja në Himarë, Rama i ka dhënë një lajm të gëzuar Athinës, duke theksuar se mund të presin derisa gjykata të japë vendimin final nëse Beleri është i fajtor apo i pafajshëm për akuzat e ngritura.

"Ka kërkuar një raport nga juristët mbi të këtë situatë dhe të presim se çfarë do të na sugjerojnë. Personalisht jam i mendimit që duhet të presin derisa të shpallet vendimi i gjykatës", tha Rama.

Ky ishte edhe një lajm ekskluziv që Rama dha për mediat greke, i cili shpjegoi dhe procedurën.

" Por nuk jam i sigurt që duhet ta them. E para, le të themi se në Shqipëri nuk është qeveria që shpall zgjedhje por presidenti. Gjithsesi, procedura është kështu, nëse kryebashkiaku I zgjedhur nuk shfaqet pas 90 ditësh të betohet, atëherë qeveria duhet ta çlirojë nga detyra dhe të vendosë një kryebashkiak teknik deri sa të realizohen zgjedhjet e reja, që do të shpallen nga presidenti. U kërkova avokatëve të mi të shqyrtojnë çështjen dhe nuk e di rezultatin. Por më duket se ky rast është i veçantë, nuk ka precedent. Kështu, instinkti im më thotë, reagimi im psikologjik më thotë se ndoshta duhet të presim gjyqin. Kështu, mund të mos bëjmë zgjedhje të reja derisa të gjykohet fajtor ose i pafajshëm. Por ky nuk është një qëndrim juridik, është pikërisht çfarë mendoj se duhet bërë nga momenti që nuk kemi precedentë. Po, mendoj se mund të bëjmë njërën ose tjetrën, bazuar në raportin e zyrës ligjore, besoj se kemi mundësinë të mos veprojmë derisa të vendosë gjykata. Në këtë rast u japim të gjithëve shansin të shqyrtojnë çështjen deri në fund. Nëse kjo nuk është e mundur nga ana ligjore, do duhet ta lirojmë nga detyra", theksoi kryeministri gjatë intervistës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë