Futboll

Gatuzo mbetet i vetëm, Milan mendon për Donadonin

Tifozët e Milanit janë kundër trajnerit Gatuzo dhe skuadrës, ndërsa Leonardo dhe Maldini tani nuk janë më të sigurt për vendimet e Rinos. Betisi dhe Sampdoria janë ndeshje vendimtare dhe nëse kthesa nuk vjen, ndryshimi në stol është i pashmangshëm.

Gatuzo ka mbetur i vetëm tashmë, për herë të parë që nga koha e emërimit të drejtuesve të rinj. Pas shumë e shumë fjalësh pozitive për të, trajneri kuqezi nuk e ka më vendin të sigurt. Nuk është vendosur që ai të largohet, por humbja në derbi ka hapur një “gropë” të madhe në raportin mes Gatuzos, drejtuesve dhe tifozëve kuqezinj. Është shumë e qartë: fillimisht komunikata e tifozëve të “Curva Sud” dhe akuzat ndaj trajnerit e skuadrës, më pas Maldini i ngrysur në Milanelo. Miqësia e lindur në fushë mes tyre mund të prishet në distancë, por është e nevojshme për Milanin.

Gabimet e Gatuzos në derbin me Interin nuk janë anashkaluar. Aktivizimi në krah i Kutrones ishte gabimi më i madh, por pa sens ishin edhe futja e Bakajokos në mesfushë dhe Abates në momentet e fundit. Zgjedhje që tregojnë se Rino e ka të vështirë të jetë i kthjellët në momentet më delikate të ndeshjes. Kuptohet që Milani nuk mund të lejojë rritjen e një trajneri, duke bërë eksperimente në fushë. Leonardo dhe Maldini duket se janë penduar që nuk insistuan më shumë në verë për të marrë Konten.

Ivan Xhenaro Gatuzo, trajneri i Milanit

Në derbi Gatuzo gaboi gjithçka, që nga mënyra e lojës për të përballuar Interin, te ndërrimet dhe zgjidhja për të mbështetur Higuainin në 30 metrat e fundit. Një tjetër problem ishte paaftësia për ta modifikuar modulin e lojës gjatë ndeshjes, kur u panë problemet. Por derbi është pika finale e një sezoni të mbushur me gabime nga Gatuzo, ku veçohen ndërrimi i Biljas në Napoli dhe mënyra e administrimit të avantazhit kundër Kaljarit, Atalantës dhe Empolit. Vështirë të thuhet që tani se trajneri do të largohet, por ndeshjet me Betisin në Europa League dhe Sampdorian në kampionat, kanë në dorë fatin e Gatuzos. Gabimi nuk lejohet dhe ai e di shumë mirë.

Në këtë situatë, kanë nisur të qarkullojnë sërish zërat për trajnerin e ardhshëm të Milanit, nëse Gatuzo nuk do të arrijë të bëjë kthesën. Dhe nuk është Antonio Konte kandidati kryesor, por një milanist, Roberto Donadoni. Drejtuesit e Milanit dëshirojnë të mos shkojnë në këtë pikë, në shkarkimin e trajnerit aktual, por janë rezultatet që vendosin. Donadoni e ka parakaluar Konten, i cili ende nuk ka mbyllur ligjërisht çështjen me Çelsin, ndërkohë që për të ka interes edhe nga Reali i Madridit. Te Milani mendojnë se Donadoni, pa ekip pas aventurës te Bolonja, është alternativa më e mirë. Ai ka bërë mirë në të kaluarën në Serinë A, edhe pse nuk ka dhënë ndonjë “provim” me një skuadër të madhe, siç është Milani.

Roberto Donadoni, kandidat për të marrë drejtimin e Milanit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë