Nga UEFA po studiohet prej kohësh mundësia për një kompeticion të tretë për klubet, që do t’u shtohej Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës. Konfirmimin e ka dhënë Andrea Anjeli, presidenti i Juventusit, i cili mban edhe postin e presidentit të ECA-s, Shoqatës Europiane të Klubeve. Nga Spliti, në asamblenë e klubeve europiane, Anjeli ka pohuar: "Duke pritur miratimin nga UEFA, mund të konfirmoj se i është hapur drita jeshile organizimit të një kupe të tretë europiane, duke nisur nga sezoni 2021-2022, që do ta çonte në 96 numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kupat e Europës”.
Sipas asaj që shkruan prestigjiozja gjermane “Bild”, revolucioni i UEFA-s për trevjeçarin 2021-2024 konfirmon 32 skuadrat e Ligës së Kampionëve, zvogëlon nga 48 në 32 numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Europës dhe përfshin edhe kupën e tretë, që do të përbëhet nga 32 skuadra. Në total, bëhen 96 skuadra në të tre kompeticionet europiane për klube. Nga viti 2000, futbolli europian organizon vetëm dy kupa, kurse në periudhën 1960-1999 është luajtur edhe Kupa e Kupave, ku merrnin pjesë fituesit e kupës në çdo kampionat.
Miratimi zyrtar i kupës së tretë në futbollin europian duket një formalitet dhe duke nisur nga sezoni 2021-2022, do të jenë 96 skuadra në të tre kompeticionet. Së shpejti pritet të mësohen detaje të reja për emrin e kupës së tretë dhe nëse mund të përfitojë Shqipëria për të shtuar ndonjë skuadër apo jo në kupat e Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.