Ngjarje

Gabimi i vartësit, kërcënon shefin në telefon: Unë di shumë për ju, për 2 orë ju shkatërroj…

Një burim i gazetës “Si” pranë policisë së Komisariatit nr. 1 i tregoi kallëzimin e Marjan Lacës ndaj vartësit të tij. Denoncuesi pohon se ka funksionin e drejtorit të Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Shefi i thotë policisë: Duke qenë se ushtroj këtë kontroll, puna ime është në kontrollin e gjithë territorit të vendit në fushën doganore. Nën varësi kam gjithsej rreth 100 persona, këta në funksione të ndryshme. Puna është e ndarë në grupe të përbërë nga tri veta që ushtrojnë kontrollin në pika të ndryshme doganore, det dhe tokë. Në varësinë time kam edhe punonjësin Ermal K. , i cili është përgjegjës grupi i Antikontrabandës tokësore. E kam gjetur në këtë detyrë kur mora detyrën e drejtorit. Në datën 5 dhjetor 2019, ishte ditë e enjte, rreth orës 20:00, kur gjendesha në banesën time, më vjen një SMS në WhatsApp. Ky numër i përket vartësit.

Mesazhi i parë ishte me tekst “Përshëndetje zoti Laca. Ka gjithë jetën që merrem vetëm me punët e mia. Ju që kur më njihni jeni marrë vetëm me punët e mia. Përse zotëria juaj? Ca të kam ba?. Por meqë e paske kthyer në personale, dy duart për një krye janë, të kam thënë edhe herë tjetër, nuk të kam as hakë as hile, por nuk me paske nie. Fjalë malësori, mu ruaj, dhe mos harro di shumë gjëra për ju. Mund ta shkatërroj jetën tuaj në dy orë. Nuk ia kam ba njeriu, por ti më detyron”.

Drejtori tregon në polici se pasi lexoi mesazhin i është përgjigjur se “po bën gabim që po i shkruan” dhe se “po bëj punën time si me ty, si me ata që shkelin ligjin. Pushka top t’u bëftë ty dhe kujtdo tjetër që kërkon të më intimidojë në punën time”, mësohet t’i ketë thënë shefi vartësit të tij. Denoncuesi kujton se pas këtij reagimi se vartësi ka vazhduar me mesazhe kërcënuese mes tyre edhe fraza “do ju vij te shtëpia”.

Në materialet e vendosura në dispozicion pranë gazetës “Si” nga burime të Komisariatit nr.1, policia e pyet drejtorin:

Policia: Përse ju kërcënon me mesazh Ermali?

Drejtori: Arsyeja është se ndaj tij, para tre muajsh kam filluar një hetim disiplinor, duke parashtruar shkeljet e tij gjatë detyrës që i kam referuar në departamentin operativ, i cili do verifikojë deri ku janë shkeljet e tij.

Policia ka referuar menjëherë dosjen për hetime për veprën e kanosjes për shkak të detyrës, ndonëse vartësi është shprehur mjaft i penduar. Mbase pas nisjes së hetimeve, vartësi do ta përdorë edhe vetë më pas shprehjen “shefi ka gjithmonë të drejtë, edhe kur nuk ka të drejtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë