Keshilla

Gabimet që bëjnë njerëzit kur udhëtojnë gjatë valës së të nxehtit

Ekspertët kanë treguar disa nga gabimet që bëjnë njerëzit kur udhëtojnë gjatë verës, kur temperaturat janë të larta.

Valët e të nxehtit rekord kanë qenë titujt kryesorë këtë verë dhe ka të ngjarë të vazhdojnë edhe në javët në vijim. Kjo do të thotë që ata kanë plane për të udhëtuar duhet të marrin masat e duhura që mos të kenë komplikime gjatë pushimeve.

“Të shijosh diellin është e gjitha pjesë e pushimeve, veçanërisht nëse jetoni në një vend ku moti i mirë është një dukuri e rrallë, por temperaturat që po përjetojnë disa destinacione të njohura turistike janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe shumë njerëz mund ta kenë të vështirë të mësohen me atë klimë”, thotë Navin Khosla, farmacist.

Në të vërtetë, temperaturat ekstreme paraqesin rreziqe serioze për shëndetin, kështu që është gjithmonë më mirë të përgatiteni dhe të planifikoni itinerarin tuaj rreth vapës.

Gabimi më i madh që bëjnë njerëzit është nënvlerësimi i fuqisë së diellit dhe ekspertët kanë dhënë disa nga gabimet më të zakonshme.

Mos harroni të pini shumë ujë

Fillojeni ditën me një gotë ujë. Merrni një shishe me vete. Mundohuni të shmangni pije si alkooli. Nëse konsumoni një koktej, sigurohuni që të pini edhe më shumë ujë pas alkoolit. Nëse jeni duke bërë aktivitete në natyrë, qoftë ecje, shëtitje apo çiklizëm, planifikoni ndalesa për të rimbushur shishen e ujit nëse është e mundur.

Përveç ujit dhe shmangies së pijeve alkoolike, mund të merrni në konsideratë përforcuesit shtesë.

“Vetëm uji mund të mos jetë i mjaftueshëm kur përballeni me temperaturat e larta dhe mund tu duhet të zëvendësoni elektrolitet që po humbni”, thotë Justin Chapman, një ekspert udhëtimesh.

“Pa minerale si natriumi, kaliumi dhe magnezi që japin hidratim në qelizat tuaja, trupi juaj nuk mund të thithë hidratimin e duhur që i nevojitet. Elektrolitet rregullojnë funksionin e muskujve dhe nervave, prandaj dehidratimi mund të çojë në dobësi të muskujve, si dhe rraskapitje dhe dhimbje koke”.

Gjithashtu, duhet të mundoheni të kaloni kohë në ambiente të freskëta.

“Ekziston një tendencë që turistët duhet të qëndrojnë sa më shumë jashtë duke parë vende të ndryshme, por kur temperaturat janë të larta, është e rëndësishme që të kaloni disa orë të ditës në ambiente të mbyllura ose në hije”, thotë Chapman.

Kontrolloni parashikimin e motit dhe planifikoni ditën tuaj rreth atij informacioni.

Turistët duhet të planifikojnë ditën e tyre në bazë të motit. Nëse e nesërmja parashikohet me temperatura të larta, është mirë që të planifikoni që të shkoni në muze apo të konsumoni drekën në një ambient të mbyllur, duke lënë shëtitjet në një ditë më të freskët.

Gjithashtu, pushimet nuk janë për t'u rraskapitur.

Ekspertët thonë se njerëzit duhet të mendojnë së pari për qetësinë e tyre dhe mos të mundohen të bëjnë gjithçka në një javë pushim. Në temperatura të larta, njerëzit janë të lodhur edhe pa bërë gjë dhe shëtitjet gjithë ditën për të parë sa më shumë vende nga qyteti që keni zgjedhur mund të çojë në rraskapitje dhe probleme me shëndetit.

“Mos u ndjeni keq nëse nuk arrini të vizitoni çdo atraksion, veçanërisht kur kjo do të thotë të ecni gjatë orëve më të nxehta të ditës gjatë një vale të nxehti”.

Një këshillë tjetër e ekspertëve është që të organizoni gjumin.

Ndërkohë që mëngjesi herët dhe darka janë periudhat më të freska dhe më të favorshme për të shëtitur vendin, ekspertët këshillojnë që të lini mënjanë gjumin në këto periudha dhe të përfitoni nga freskia.

Ju mund të flini gjatë ditës për të kompensuar orët e humbura të gjumit dhe kështu do të shmangni çdo problem që vjen për shkak të temperaturave të larta.

Një tjetër gabim që bëjnë njerëzit është zgjedhja e veshjes më të bukur, por jo më të rehatshme.

Të gjithë priren të zgjedhin një veshje të bukur por ekspertët thonë se gjatë verës është e rëndësishme që të zgjidhet një veshje sa më e freskët dhe e rehatshme, sidomos kur planifikoni të qëndroni gjithë ditën në shëtitje, në diell.

Edhe injorimi i sinjaleve që lëshon trupi është një gabim që bëjnë shumica.

“Unë mendoj se gabimi më i zakonshëm që bëjnë njerëzit kur udhëtojnë është të mos jenë ‘të sinqertë’ me veten për mënyrën se si ndihen”, thotë Gregory Katz, kardiolog, duke shtuar se të gjithë e kanë mendjen tek pushimet dhe injorojnë sinjalet që u jep trupi.

Ai rekomandon t'i kushtoni vëmendje mënyrës sesi ndiheni gjatë gjithë ditës, veçanërisht nëse keni një gjendje kronike.

Burimi: Huffington Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë