Bota

G7 u mbyll me fokus Ukrainën, Zelensky: Premtimet duhet të kthehen në veprime

Nga Gazeta ‘Si’- Në përfundim të takimeve në samitin e G7, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dha një mesazh të qartë për aleatët perëndimorë: Është thelbësore që gjithçka për të cilën u diskutua të vihet në praktikë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ishte në qendër të vëmendjes gjatë samitit, ndërsa liderët evropianë u përpoqën të ruanin një klimë bashkëpunimi me Uashingtonin, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëparshme.

Në këtë atmosferë, Trump deklaroi se pas përfundimit të konfliktit me Iranin, vëmendja ndërkombëtare duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë.

Ndërkohë, vendet evropiane po përgatiten për një rol më aktiv në Lindjen e Mesme.

Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në operacionet e pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit, pas marrëveshjes së arritur mes SHBA-ve dhe Iranit.

Një ditë e samitit iu kushtua kryesisht Ukrainës.

Zelensky zhvilloi takime me liderët e G7, përfshirë edhe Trumpin, duke kërkuar më shumë mbështetje ushtarake për vendin e tij.

Sipas të dhënave të Institutit Kiel, SHBA nuk ka dërguar ndihmë të re ushtarake për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2025.

Për këtë arsye, Zelensky kërkoi jo vetëm vazhdimin e mbështetjes, por edhe mundësinë që Ukraina të prodhojë vetë një pjesë të sistemeve mbrojtëse Patriot.

Presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia vazhdon të rrisë kapacitetet ushtarake, duke prodhuar rreth 60 raketa balistike në muaj, ndërsa kapacitetet perëndimore për t’i neutralizuar ato mbeten të kufizuara.

Një tjetër temë kyçe ishte fondi “Purl”, mekanizmi i NATO-s për financimin e blerjes së armëve amerikane për Ukrainën. Deri më tani janë mbledhur rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa objektivi për vitin 2026 është 15 miliardë dollarë.

Zelensky u bëri thirrje vendeve që ende nuk kontribuojnë në këtë fond, përfshirë Italinë, që të rrisin angazhimin e tyre. Megjithatë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, konfirmoi se Roma vijon të kundërshtojë pjesëmarrjen në program.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë