Futboll

Futbolli shkëlqeu me presidentë të inkriminuar ose të vrarë nga krimi

Rasti i fundit i arrestimit të ish-presidentit të Lushnjës, Edmond Begos, ka sjellë në vëmendje faktin se kjo skuadër ka pasur sukses në atë kohë, ashtu sikurse dhe shumë skuadra të tjera të futbollit shqiptar, që në krye të tyre kanë pasur njerëz që kanë pasur probleme me ligjin, disa prej tyre edhe fundin tragjik të ndarjes nga jeta para kohe. Ka ndodhur kudo në botë, por në Shqipëri ka ndodhur më shpesh një fenomen i tillë dhe në një kohë relativisht të shkurtër. Biznesmenë të fuqishëm në vend, që vijnë në krye të skuadrave me emër dhe që më pas humbin jetën ose përfundojnë në pranga.

Pas viteve ’90, kur klubet tona nisën të funksionojnë ndryshe, me presidentë apo aksionerë, janë të njohura rastet kur këta të fundit kanë pasur probleme me organet e drejtësisë, ndërsa të disa të tjerë kanë ikur nga jeta. Janë tre presidentët e ekzekutuar në mënyrë barbare nga dora e krimit gjatë këtyre viteve, njëri i Vllaznisë dhe dy të Tomorit.

Vrasjet e tre presidentëve

Bëri bujë në vitin 2003 vrasja e presidentit të Vllaznisë, Myftar Çelës, i cili u ekzekutua në Tuz të Malit të Zi me armë zjarri. Një vrasje që tronditi qytetin e Shkodrës dhe gjithë futbollin në vend, jo vetëm Vllazninë. Çela, një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend në atë kohë, ndërtoi një Vllazni mjaft të fortë, që në sezonin 2000-2001 u shpall kampione, titulli i fundit i fituar prej kësaj skuadre në historinë e saj. Vllaznia kishte atë sezon lojtarët më të mirë në vend, si Edi Martini, Vioresin Sinani, Suad Lici, Elvin Beqiri, Klodian Duro, Sajmir Patushi, Asim Gjokoviç e të tjerë, ndërkohë që drejtohej nga një trajner malazez, Dervish Haxhiosmanoviç. Në Shkodër e kujtojnë me nostalgji “epokën” e Vllaznisë së Çelës dhe janë të bindur se ajo kohë nuk vjen më.

Myftar Çela, ish-president i Vllaznisë, i vrarë në vitin 2003

Vrasja e parë e një presidenti të një ekipi futbolli është ajo e vitit 2000, kur Ardjan Çobo, president i Tomorit në atë kohë, u ekzekutua në lokalin para stadiumit “Selman Stërmasi”. Një ngjarje tragjike, ku humbi jetën edhe arbitri ndërkombëtar Luan Zulfo. Ishte koha kur Tomori zhvilloi një sezon për t’u mbajtur mend dhe luftoi deri në fund për titullin kampion me Tiranën. Madje, beratasit e merituan atë titull plotësisht, por u “shpik” një pikë në rregullore për një ndeshje shtesë në Elbasan, që e fitoi Tirana. Ishte momenti më i mirë për Tomorin, që duhej të priste disa vite për t’u riorganizuar dhe këtë gjë tentoi ta bënte në vitin 2005 Edmond Malollari, i cili kishte marrë presidencën e skuadrës beratase, por edhe ai u ndal nga dora e krimit. Malollari u ekzekutua në hyrje të pallatit ku banonte dhe dyshimet në atë kohë ishin për borxhe të pashlyera. Me humbjen e këtyre njerëzve, si Vllaznia, ashtu edhe Tomori, nuk kanë mundur të ngrihen kurrë në nivel kompetitiv, përkundrazi, po vuajnë në kategori të ulëta.

Presidentë në pranga

Të tjerë presidentë të suksesshëm në krye të skuadrave shqiptare kanë apsur probleme me ligjin dhe kanë përfunduar në pranga, duke nisur nga “gjenerali” Rrapush Xhaferri, ish-president i Lushnjës në vitet 96-97, kur solli në Shqipëri të madhin Mario Kempes si trajner. Më vonë bosi i firmave piramidale përfundoi në burg. I bujshëm është edhe rasti i presidentit të Dinamos në sezonet 2002-2004, Mihal Delijorgjit. Gjykata vendosi që Delijorgji të bëjë burg për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, pasi ishte administratori i firmës “Albademil”, që kryente demontimin në Gërdec. Dinamo e Delijorgjit fitoi në atë kohë Kupën e Shqipërisë dhe luajti në Kupat e Europës.

Mihal Delijorgji, ish-president i Dinamos, i dënuar për ngjarjen e Gërdecit

Arben Laze është një tjetër president i suksesshëm, por që ka pasur probleme me ligjin. Në vitin 2008 është arrestuar dhe më pas ka vuajtur dënimin për shkak të përfshirjes në trafikimin e lëndëve narkotike. Elbasani i tij u shpall kampion i vendit në vitin 2006, duke fituar pas një kohe shumë të gjatë titullin e dytë në histori. Për të njëjtën arsye, trafikim lëndësh narkotike, është arrestuar në vitin 2012 edhe Paro Laçi, ish-aksionar i Partizanit. Po ashtu, probleme me ligjin ka pasur pak kohë më parë edhe Shkëlqim Selami, ish-presidenti i Flamurtarit, aktualisht politikan. Në procesin e dekriminalizimit, Prokuroria e ka çuar Selamin në Gjykatë, pasi kishte mohuar faktin që më parë ka qenë i arrestuar në Itali.

Arben Laze (majtas), president i Elbasanit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike

Edhe në botë ka shumë raste, kur presidentë të ndryshëm klubesh mjaft të suksesshëm, kanë pasur të tilla probleme. Narkotrafikanti i famshëm kolumbian, Pablo Eskobar, ka qenë presidenti e ekipit Atletiko National, që ka fituar Kupën Libertadores vite më parë. Uli Hënes në Gjermani është rasti tjetër i bujshëm, kur një president klubi përfundon në burg. Ish-futbollisti dhe presidenti i Bajernit të Mynihut u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg, si dhe me një gjobë të majme për evazion fiskal. Sandro Rosell, ish-presidenti i Barcelonës disa vite më parë, ka përfunduar gjithashtu në burg për pastrim parash. Ai ka marrë një dënim të rëndë prej 11 vitesh burg dhe një gjobë prej 59 milionë eurosh. Janë vetëm disa nga rastet kur presidentë ekipesh të njohur në botë, kanë qenë të suksesshëm në krye të tyre, por janë përballur me ligjin dhe kanë vuajtur dënimin në qelitë e burgut.

Uli Hënes, president i Bajernit të Mynihut, i dënuar për evazion fiskal

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë