Sa më shumë futbolli mundohet që të afrojë “armiqtë”, aq më e fortë bëhet përpjekja e politikës për ta kontrolluar atë. Mësimi më i mirë mbërrin nga Irani.
Kombëtarja iraniane, që siguroi finalet e botërorit për herë të dytë radhazi po përgatitet për këtë kompeticion, por këto përgatitje nuk po shkojnë ashtu siç i kishte menduar trajneri portugez i skuadrës, Carlos Queiroz.
Ai ka shpërthyer pas anulimit të miqësores së radhës me Greqinë, e dyta brenda pak ditësh, pasi më parë u anulua edhe ajo me Kosovën, që të dyja të parashikuara në Stamboll.
Anulimi i ndeshjes nga Kosova u bë me argumentin se Irani kishte refuzuar që miqësorja të zhvillohej me tifozë, ndërsa për Greqinë u bënë shkas tensionet në kulm mes Athinës dhe Ankarasë dhe përplasjet e vazhdueshme mes tyre në Egje.
“Na kritikojnë shumë për lojën dhe nivelin e ndeshjeve, por duhet ta dinë që të gjithë se askush nuk dëshiron që të luajë me ne, as në miqësore”, deklaroi Queiroz.
Më 8 qershor është miqësorja e fundit e parashikuar në kalendarin përgatitor, ajo ndaj Lituanisë në Moskë. Nëse do të zhvillohet, mund të cilësohet miqësorja e parë e një niveli të lartë për Iranin, pasi më herët kishte luajtur vetëm kundër Turkmenistanit dhe skuadrës B të kombëtares turke.
Vështirësitë për të gjetur kundërshtarë për iranianët lindën mënjëherë pas vendimit të Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar në 2015 me Teheranin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.