Mendim

Fushata 10 ditore në Kosovë, premtohet Vetting dhe mbrojtje kufijsh

Në Kosovë nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, të cilat ka të ngjarë të shndërrohetn në një nga betejat më të ashpra politike në Prishntinë.

Gjatë fushatës dhjetë ditore, 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, do të shpalosin programet e tyre për të fituar mandatin katërvjeçar, gjatë të cilës do të vuloset dokumenti më i rëndësishëm i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë: Marrëveshja me Serbinë.
Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 vendet në Kuvendin e Kosovës, janë gjithsej 1068 kandidatë.

Bashkimi Evropian ka dërguar tanimë mision vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, të cilat do të ndiqen nga rreth 100 vëzhgues të Brukselit. Procesi zgjedhor po ashtu do të monitorohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Partitë e mëdha politike në Kosovë, jozyrtarisht kanë filluar fushatën javë më parë. Premtimet e tyre përfshijnë fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Kandidatët e tyre për kryeministër, po përpiqen të joshin votuesit, duke premtuar luftën ndaj korrupsionit dhe zbatimin e reformave demokratike në vend.

Albin Kurti

Kadri Veseli, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës ka premtuar në çdo dalje publike luftën e nepotizmit dhe korrupsionit.

”Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të jetë një standard për të ndalur të keqen që po bllokon perspektivën e vendit, po bllokon perspektivën dhe shanset e barabarta të rinjve. Të gjitha kapacitetet institucionale dhe financiare që ka Kosova, do të shfrytëzohen nga njerëzit e ndershëm dhe njerëzit që punojnë. Kjo do të jetë politika jonë”, premton Veseli.

Lëvizja Vetëvendosje nga ana tjetër ka shpalosur 20 pika programore, më kryesorja nga të cilat është funksionimi i shtetit të së drejtës.

“Ne kemi tri shtylla kryesore që besojmë se janë rruga e duhur përpara. E para shteti i së drejtës, drejtësia nuk buron nga individi, shteti garanton drejtësisë, prandaj shteti duhet të jetë shtet i së drejtës, kjo lufton korrupsionin e lartë dhe krimit të organizuar”, ka premtuar Albin Kurti.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmani, e para kandidate femër për kryeministre në Kosovë, nga rradhët e LDK, ka theksuar transformimin e sistemin e drejtësisë nëpërmjet një Vettingu të ngjashëm më atë në Shqipëri.

“Ajo çka ne synojmë është t'i heqim shtetit kontrollin mbi institucione. Për shtetin e Kosovës, nuk është thjesht e rëndësishme që gjyqësori dhe sistemi i sigurisë të jenë të pavarura, por ekzistenciale. Ne do të krijojmë kushte të tilla përmes një vetting-u i cili do të ndërtohet si model specifik për Kosovën, jo duke marrë për bazë modele të tjerëve”, ka premtuar Osmani.

Vjosa Osmani


Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja ndaj këtij procesi si dhe taksa 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, kanë qenë dy nga temat në të cilat janë fokusuar shumica e kandidatëve për kryeministër. Më i zëshëm në këtë pikë ka qenë, Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë dhe kandidati i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

“Qartësia ime në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka lënë dilema se si mund të arrihet deri te zgjidhja. Zgjidhja do të jetë njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Në këtë rast edhe marrëdhënie të mira ekonomike, që do të nënkuptonte hapjen e tregut për Serbinë, pra heqjen e taksave të vendosura”, ka thënë Haradinaj.

Kurse Fatmir Limaj, kandidati për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, përveç te tjerash ka premtuar politika ekonomike dhe sociale në favor të qytetarëve të vendit.

“Kam disa prioritete. Prioriteti im kryesor është dialogu dhe politika e jashtme, pastaj bujqësia. Ne besojmë shumë që bujqësia është një gjenerues i zhvillimit ekonomik dhe mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës, mundësi që vendi ynë Kosova të rrisë buxhetin familjar dhe buxhetin e shtetit”, ka premtuar Limaj.

Ndërkohë në nisje të fushatës, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, asnjë nga kandidatët për kryeministër nuk e ka përmendur liberalizimin e vizave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë