Ne rrjet

Fundi i Uillsonianizmit: Luftërat e Ukrainës dhe Gazës, do të formojnë një rend të ri global

Nga Anton Fedyashin-Njëqind vjet më parë, udhëheqësi sovjetik Vladimir Lenin dhe presidenti amerikan Udrou Uillson vdiqën njëri pas tjetrit brenda 2 javësh. Njëqindvjetori është një moment i mirë për të rivlerësuar trashëgiminë e planeve të tyre gjeopolitike të veprimit, Leninizmit dhe Uillsonianizmit.

Në mesin e Luftës së Parë Botërore, në prillin e vitit 1917, Uillsoni dhe Lenini artikuluan dy vizione mesianike, universaliste dhe konkurruese midis tyre për një rend të ri botëror. Ata sollën një ndryshim të madh në mendimin gjeopolitik të kohës, duke i injektuar ideologjinë politikës së jashtme, me synim shpëtimin e Evropën nga pjesës më e keqe e vetes, si dhe të pjesës tjetër të botës nga Evropa.

Të gjitha ndryshimet e gjera gjeopolitike janë nxitur nga luftërat:sistemi Vestfalian pas Luftës Tridhjetëvjeçare, Sistemi i Kongresit pas mposhtjes përfundimtare të Napoleonit në Vaterlo, dhe sistemi bipolar i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në çdo pikë kthese, shtetarët revizionistë hartuan dhe miratuan paradigma gjeopolitike të reja.

Kjo foto arkivash e marrë më 19 janar 1919 tregon kryeministrin britanik Lloyd George, Presidentin e Këshillit Italian Vittorio Orlando, Presidentin e Këshillit Francez Georges Clemenceau dhe Presidentin e SHBA Woodrow Wilson në ditën e hapjes të Konferencës për Paqe në Paris.

Edhe këtë vit luftërat në Ukrainës dhe Gaza, po e minojnë dominimin global perëndimor, dhe po i japin mundësi edhe Jugut Global të marrë pjesë në formësimin e rendit botëror. A ka sot udhëheqës botërorë si Lenini dhe Uillsoni dikur, që mund t’i japin formë sistemit të ri ndërkombëtar?

Në fjalimin e tij të famshëm në Kongresin e SHBA-së më 2 prill 1917, Uillson e cilësoi Luftën e Parë Botërore si një luftë të “popujve të lirë dhe të vetëqeverisur” kundër “pushtetit egoist dhe autokratik”.Duke bërë thirrje që bota “të bëhet e sigurt për demokracinë”, Uillson artikuloi parimin themelor të politikës së jashtme amerikane, që sot njihet si “teoria e paqes demokratike”.

Uillson supozonte se një rend botëror i udhëhequr nga Amerika, do ta thyente traditën evropiane të marrëveshjeve të brendshme, traktateve sekrete dhe spiunazhit të ndërsjelltë. Transparenca do të bëhej struktura bazë e një rendi të ri botëror liberal.

Duke synuar paqen pa kontribute dhe aneksime, edhe Lenini parashikoi ndërtimin e një rend botëror transparent revolucionar që funksiononte përtej diplomacisë tradicionale evropiane.

Dy javë më vonë, me të mbërritur në Petrograd, ai publikoi ato që hynë në histori si “Tezat e Prillit”, të cilat e denoncuan Luftën e Madhe si një konflikt “imperialist e grabitqar”, i nxitur nga “natyra kapitaliste” e qeverive koloniale borgjeze. Ai bëri thirrje për “rend të ri  ndërkombëtar” të demokracive të çliruara punëtore dhe fshatare.

Vizioni bolshevik, përmbante gjithashtu edhe premtimin e një epoke të artë paqësore.

Lenini e trajtoi internacionalizmin si një komponent thelbësor të socializmit. Ndaj bolshevikët e diskredituan diplomacinë evropiane duke publikuar marrëveshjet sekrete midis rusëve dhe aleatëve të tyre, dhe më e rëndësishmja në kurriz të Perandorisë Osmane.

Vladmir Lenini duke folur para një turme në sheshin Sverdlov të Moskës me Leon Trotsky dhe Lev Kamenev pranë tij, maj 1920 

Të dy shtetarët e formësuan botën me narrativa që strukturuan dhe kanalizuan pakënaqësinë e madhe popullore. Lenini dhe Uillsoni, besonin se ideologjia mund ta çlironte njerëzimin nga imperializmi dhe të ç'kolonizonte marrëdhëniet ndërkombëtare pas 3 shekujve të dominimit të Botës së Vjetër.

Kur  alternativat dalin nga ekstremet gjeografike dhe politike, kemi dukshëm një krizë sistemike. Me synim kapërcimin e trashëgimisë gjeopolitike të “shekullit XIX shumë të gjatë”, Uillson dhe Lenini supozuan se përhapja e regjimeve ideologjikisht të ngjashme do të siguronte paqen.

Simbioza konkurruese e vizioneve të tyre, do të përcaktonte fatin e botës deri në ditët tona.

Presidenti i SHBA Joe Biden viziton Charleston

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, vizioni i Uillson mbizotëroi gjatë momentit unipolar të SHBA-së, por tani projekti globalist liberal po shpërthehet për shkak të plagëve të shkaktuara nga vetja.

Një zhvendosje drejt rajonalizmit, e ka rritur ndikimin e fuqive të vogla në mesin e kaosit që ka shkaktuar një transformim gjeopolitik të madh.

Në këto kushte, edhe bota post-perëndimore duket të bëhet post-ideologjike. Në mungesë të një strategjie koherente diplomatike për të menaxhuar rënien hegjemoniste të SHBA-së, administrata e presidentit Joe Biden i është rikthyer qasjes uillsoniane.

Në vend se ta interpretojë botën përmes thjerrëzave të politikës së ekuilibrit të pushtetit dhe të kërkojë kompromis me konkurrentët, Uashingtoni e ka ri-interpretuar krizën e Ukrainës si një betejë midis demokracive dhe autokracive. Arritjet e saj kanë qenë të pakta.

Ndërsa anëtarët e NATO-s (përveç Turqisë) dhe satelitët e tyre të Paqësorit, e kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, mbi 80 për qind e popullsisë së botës jeton në vende që nuk e kanë bërë këtë. Ndërkohë, presidenti rus Vladmir Putin e ka joshur Jugun Global përmes narrativës së anti-kolonialimit, silueta e të cilit i ngjan shumë leninizmit në formë. Por në përmbajtje ai ka një dallim thelbësor.

Presidenti rus Putin takohet me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Retorika e Moskës është jo vetëm plotësisht e lirë nga përmbajtja socialiste, por Kremlini është një kampion i kapitalizmit dhe konservatorizmit socio-kulturor. Deri më tani kjo ka funksionuar, pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Uashingtonit për ta cilësuar pushtimin rus si një rrëmbim tokash koloniale.

Ndonëse Jugu Global e ka dënuar pushtimin e Ukrainës, dhe nuk do të njohë aneksimet ruse të territorit ukrainas, ai e interpreton këtë luftë si një reagim ndaj një zgjerimi të pamatur të NATO-s që i ngjan zgjerimit kolonial.

Ndryshimi i regjimit në vitin 2014 në Kiev i mbështetur nga Perëndimi, dhe mbështetja e pakushtëzuar e administratës Biden ndaj Izraelit në operacionin e tij kundër Gazës, ka nxjerrë në pah një standard të dyfishtë perëndimor në lidhje me aneksimet, territoret e pushtuara dhe viktimat civile.

Kryqëzata Uillsoniane për ta përhapur demokracinë do të kishte qenë më e vështirë, nëse dollari amerikan nuk do të bëhej monedha rezervë botërore pas Luftës së Dytë Botërore.

Ajo i dha Shteteve të Bashkuara fuqi të pashembullt, për të ndikuar si tek aleatët ashtu edhe te kundërshtarët.

Por borxhi i madh prej 34 trilion dollarësh, me të cilin përballet aktualisht SHBA-ja, dhe fiksimi për përdorimin si një armë të dollarit dhe institucioneve financiare perëndimore, ka nxitur krijimin e institucioneve ekonomike dhe financiare të pavarura nga Perëndimi.

Sot organizata ndërkombëtare me zgjerimin më të shpejtë nuk është NATO, por Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe grupi i Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës, Afrikës së Jugut (BRICS).

Mbetet për t’u parë nëse ata do të prodhojnë mirëqenien ekonomike që premtojnë. Por ndikimi ekonomik i ndjekjes së verbër të urdhrave të Amerikës, është bërë një pengesë për aleatët e Uashingtonit. Gjatë Luftës së Ftohtë, qëndrimi në kampin ideologjik perëndimor solli një pasurim ekonomik të dukshëm. Për këtë mjafton krahasoni 2 Koretë, Gjermaninë Perëndimore me atë Lindore.

Megjithatë, sanksionet ekonomike kundër Rusisë po e ç’industrializojnë dhe falimentojnë Evropën. Plani i administratës Biden për të konfiskuar 300 miliardë dollarë rezerva financiare ruse të ngrira nga institucionet perëndimore, vetëm sa do ta përshpejtojë zhdukjen e dominimit financiar dhe ekonomik perëndimor.

Një shekull pas vdekjes Uillson, po perëndon edhe ëndrra e tij. Për ta ringjallur atë do të duhet një udhëheqje amerikane shumë më kreative dhe karizmatike sesa ka qenë deri më tani.

Burimi: TRT World/Përshtati Gazeta Si

Shënim:Anton Fedyashin, profesor i asociuar i historisë në Universitetin Amerikan në Uashington.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë