Futbolli shqiptar dhe me veçanërisht FShf janë bërë motivi për një përplasje në parlament mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Braçe nuk ka nguruar të deklarojë nga foltorja e Parlamentit se FShf vepron në shkelje të ligjit prej disa vitesh, teksa nuk ka marrë një përgjigje konkretë nga ministri Arben Ahmetaj. Lidhur me këtë ngjarje në parlament ka ardhur edhe reagimi nga qeveria e futbollit shqiptar, FShF. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediet, FShF ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e deputetit Erion Braçe. Në reagimin e tij, organizimi qeverisës i futbollit në vend nuk nguron të lëshojë sulme ndaj deputetit socialist.

“FSHF si gjithmonë, ndjek me vëmendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cenojnë standardet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika. Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduese por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të një segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.”- shkruhet ndër të tjera në reagimin e FShF.
Më tej Federata Shqiptare e Futbollit shprehet e hapur për çdo kontroll nga çdo organizëm shtetëror. Por në njoftimin e shpërndarë për mediet, FShF nuk e lë më kaq, pasi paralajmëron se kjo çështje mund të shkojë deri në FIFA dhe UEFA, ku pasojat për futbollin do të ishin shumë të mëdha.
“FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj. Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA.”- shkruhet në deklaratën e FShF të shpërndarë për mediet pasditen e së enjtes.
Përplasjet mes deputetit socialist Braçe dhe kreut të FShF, Armando Duka janë të hershme dhe nganjëherë edhe të ashpra, sidomos në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.