Bota

Frikë për Ebolan në fluturimin e ‘Air France’, avioni devijon në Montreal për një pasagjer

Gazeta Si – Një fluturim i kompanisë “Air France” me destinacion Shtetet e Bashkuara u devijua për në Montreal, Kanada, pasi dyshohej se një pasagjer ishte ekspozuar ndaj virusit Ebola.

Avioni, i cili ishte nisur nga Parisi dhe po shkonte drejt Detroitit, u devijua pasditen e së mërkurës, më 20 maj, me kërkesë të autoriteteve amerikane.

Sipas Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-ve (CBP), pasagjeri kishte hipur “gabimisht”, pasi kishte udhëtuar së fundmi në Afrikën Lindore, një zonë e prekur nga një shpërthim i Ebolës.

Ndalesa – “Për shkak të kufizimeve të hyrjes të vendosura për të zvogëluar rrezikun e virusit Ebola, pasagjeri nuk duhej të hipte në aeroplan”, shpjeguan autoritetet amerikane në një deklaratë.

CBP më pas i mohoi aeroplanit uljen në aeroportin e Detroitit, duke urdhëruar që të devijonte në Montreal, Kanada.

Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse pasagjeri shfaqte simptoma në përputhje me virusin. Sipas faqes së specializuar të internetit “FlightAware”, avioni u ul në Montreal vonë pasditen e së mërkurës, 20 maj.

Pasagjeri u zbrit dhe u mor nën kujdes nga autoritetet shëndetësore, ndërsa pjesa tjetër e fluturimit vazhdoi më pas për në Detroit, ku mbërriti pak pas orës 8:00 të mbrëmjes sipas orës lokale.

Kufizimet – Incidenti vjen vetëm disa ditë pas futjes së kufizimeve të reja nga administrata amerikane. Më 18 maj, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftuan një ndalim të përkohshëm 30-ditor udhëtimi për qytetarët jo-amerikanë nga Republika Demokratike e Kongos, Sudani i Jugut dhe Uganda.

Kontroll i zgjeruar shëndetësor është gjithashtu në vend për këdo që ka udhëtuar në ato vende në 21 ditët e fundit.

Reagimi – Kompania “Air France” konfirmoi se pasagjeri i përfshirë, ishte shtetas kongolez dhe iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara.

“Sipas rregulloreve të reja, pasagjerët nga vende të caktuara, përfshirë Republikën Demokratike të Kongos, mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara vetëm përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Uashingtonit (IAD)”, tha linja ajrore, duke shtuar se nuk ka ndodhur asnjë urgjencë mjekësore në bord.

Shpërthimi në Afrikë – Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka shpallur shpërthimin një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, duke shprehur shqetësim për përhapjen e shpejtë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, 51 raste janë konfirmuar në provincat veriore të Kongos dhe dy të tjera në Ugandë. Ka 139 vdekje të dyshuara, ndërsa rastet e dyshuara po i afrohen shifrës 600.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë