Politike

Fredi Beleri thellon konfliktin me Greqinë/ Mitsotakis shtron darkë informale me liderët e Ballkanit: Rama nuk ftohet, Begaj nuk shkon

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mtsotakis do të mbajë një darkë informale me një panel të gjerë liderësh të Ballkanit Perëndimor, (por jo vetëm) me qëllim integrimin e këtyre vendeve në BE.

Media greke Protothema i ka kushtuar vend kryesor ftesës së kryeministrit grek ndërsa ajo që bie në sy është mungesa e një ftese për kryeministrin Edi Rama, sa kohë që në nivel kryeministri (në darkën e të hënës) do të përfaqësohet Maqedonia e Veriut madje edhe Kosova me Albin Kurtin.

Në shkrim thuhet se ftesa i është drejtuar Presidentit të Republikës i cili nuk do të jetë.

Mungesa e një ftese ndaj kryeministrit Edi Rama lidhet me debatin e fundit për Fredi Belerin për të cilin Athina ka kërkuar lirimin e tij madje edhe betimin si kryebashkiak, ndërsa Rama i ka kthyer përgjigje të prerë se kjo është çështje drejtësie dhe jo politike.

Protothema nuk e përmend fare Ramën ndër radhë dhe as arsyet e mungesës së Presidentit Begaj por ka pasqyruar pa ngjyrime politike se kush do të marrë pjesë në darkën informale që do të shtrojë kryeministri i Greqisë.

Fredi Beleri dhe kryeministri grek Mitsotakis, gjatë vizitës së këtij të fundit në Himarë

Më konkretisht, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve anëtare të BE-së do të priten mbrëmjen e së hënës së 21 gushtit, në orën 20.15, nga Kyriakos Mitsotakis në Megaro Maximos në një darkë informale për zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Protothema shkruan se ftesës së kryeministrit të Greqisë i janë përgjigjur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Në artikull thuhet se ka konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ai i Kosovës, Albin Kurti. Janë ftuar gjithashtu kryetarja e  Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borgiana Christo, presidentja e Moldavisë, Maya Sandu.

Ndërkohë, Protothema nënvizon se Shqipëria është e ftuar në nivel presidenti, porse ky i fundit nuk do të jetë ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht.

Në diskutim do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së më konkretisht kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, i Kroacisë Andrej Plenkoviç dhe i Rumanisë Ion-Marcel Ciolakou.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë