Mendim

Franca dhe Gjermania dështuan, dialogu në dorë të SHBA-së?

Pas anulimit të samitit të Parisit, i cili është interpretuar gjerësisht si dështim i jashtëzakoshëm i presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, dialogu Kosovë-Serbi pritet të udhëhiqet nga SHBA-ja.

Prishtina dhe Beogradi nuk e përjashtojnë mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin vendimtar në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Tani që dialogu ka mbetur në ngërç dhe Federica Mohgerini pritet të largohen në vjeshtë, fuqizimi i rolit amerikan, shihet si një domosdoshmëri pasi që Bashkimi Europian po konsiderohet si një partner më pak i fuqishëm për t’i drejtuar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Ata që ishin nismëtarët kryesorë të BE-së, Gjermania dhe Franca, nuk janë një pozitë shumë të favorshme pas anulimit të takimit të Parisit. Shumë ekspertë të politikës së jashtme në Ballkanin Perëndimor janë të bindur se tryeza e ardhshme e bisedime Kosovë-Serbi do të udhëhiqet nga SHBA-ja.

Për shumë analistë, SHBA-ja dëshiron që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda 2019-ës. Dhe duke pasur parasysh problemet e brendshme të unionit, duket qartë se Brukseli nuk ka as fuqi dhe as vullnet për të luajtur rol kryesor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të hënën në Prishtinë se pas dështimit në Berlin dhe mosmbajtjes së takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit më 1 korrik, si Kosova ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa mbrapa në perspektivën e tyre europiane.

Sipas tij, është vërtetuar edhe njëherë se Bashkimi Europian është më i dobët dhe se tanimë është koha kur duhet t'u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një rol më aktiv në procesin e dialogut Kosovë - Serbi.

"Mendoj se duhet të jetë thirrje për një rol më aktiv të SHBA-së dhe një koordinim më të mirë me Bashkimin Evropian, kur shohim se nuk ka një unitet brenda BE-së dhe se kemi të bëjmë me një Bashkim Evropian më të dobët. Po ashtu, shohim edhe nga opinioni publik se besimi i qytetarëve për BE-në nuk kalon mbi 40 % ndërsa për SHBA-në është mbi 80%, kështu që një koordinim i tillë do të mund të kishte sukses", tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës është bindur se Beogradi dhe Prishtina do të firmosin një marrveshje brenda këtij viti.

"Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, është shprehur ai. "Fatkeqësisht, situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi në vendnumëro, pavarësishy iniciativave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe perspektivës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është rreziku ma i madh i mundshëm për sigurinë e stabilitetin për të dy vendet dhe rajonin", ka shtuar Thaçi.

Profesori i shkencave politike në universitetin Saint Mary në Londër, James Ker Lindsay, thotë se partneri kryesor në dialogun Kosovë - Serbi duhet të jetë Bashkimi Evropian, pavarësisht faktit se Uashingtoni shihet si partneri vendimtar në këtë proces.

“Partneri kryesor duhet të ishte Bashkimi Evropian. Mirëpo pozita e BE-së në këtë rast është dobësuar. Pse? Ne jemi në fund të mandatit të Komisionit Europian dhe personat dhe autoriteti që merret me këto bisedime janë duke u larguar. Papritur roli i SHBA-së bëhet rol udhëheqës, mirëpo çdo gjë duhet të bëhet për anëtarësimin në BE. Anëtarësimi në BE duhet të jetë ajo që e shtyn përpara gjithë këtë proces", tha Lindsay.

Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kenë rol konstruktiv dhe pozitiv. E vetmja mënyrë që të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit sipas tij është që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar dhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të punojnë së bashku.

"Për momentin ne nuk po shohim një gjë të tillë. Ne po shohim ndarje brenda BE-së, po shohim dallime të mëdha mes vendeve të BE-së dhe SHBA-së. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë një pozicion që nuk është i njëjtë me SHBA-në. Franca ka një pozicion tjetër. Komisioni Evropian ka një pozicion të ngjashëm me atë të SHBA-së, mirëpo Gjermania është kundër atij pozicioni të Komisionit Evropian. Për momentin asgjë nuk do të ndodh para se të kalohen këto ndasi”, tha Lindsay.

Deri më tani, pas rezolutës së përbashkët të paraqitur nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës janë lehtësuar nga Përfaqësuesit e Lartë të BE-së. Por për pothuajse katër vjet nuk ka pasur ndonjë përparim domethënës, kohë gjatë të cilës Shtetet e Bashkuara kanë qenë joaktive, duke e lënë çështjen e Kosovës, në nivelin më të ulët diplomatik.


“Vetëm pasi zbuloi ndikimin në rritje të Rusisë, e cila shfrytëzonte çdo krizë në rajon për të përhapur influencën e saj, Shtetet e Bashkuara vendosën të angazhoheshin si për dialogun Beograd-Prishtinë ashtu edhe rajonin. Sipas vlerësimeve të Uashingtonit situata është shumë e rrezikshme për t’ua lënë në dorë evropianëve”, thotë Bosko Jaksić, gazetar i së përditshmes serbe “Politika”.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se nuk është reale që vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.
“Tani për tani nuk ka paralajmërime për ndryshime të formatit të dialogut. Bashkimi Europian është ai që moderon këtë dialog”, ka thënë Daçiqç duke shtuar se nëse arrihet marrëveshja eventuale, ajo duhet të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Është vështirë që vetëm Shtetet e Bashkuara të përfshihen në dialog dhe që askush tjetër të mos përfshihet. Kjo nuk është reale”, ka thënë kreu i diplomacisë serbe në një conference.

Sipas tij, për Beogradin është me rëndësi kyçe që të arrihet një zgjidhje me kompromis dhe jo e imponuar.

“Serbia nuk po vë pengesa për vazhdimin e dialogut, ne vetëm po kërkojmë që të largohet taksa, në mënyrë që të vazhdohet me dialogun”, theksoi ai.

Në përpjekje për të zhbllokuar dialogun Kosovë – Serbi, Gjermania ka ndërmjetësuar një takim në Berlin ndërmjet palës kosovare dhe serbe ku ka kanë marrë pjesë zyrtarë nga të dyja palët. Megjithatë, sipas mediave në Beograd dhe Prishtinë shkaku i shtyrjes së takimit te Parisit është mospranimi i Kosovës për pezullimin e taksave doganore ndaj Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, duke e lënë dialogun në ngërc të vazhdueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë