Janë kampionët e botës dhe vazhdojnë ta tregojnë se mbeten skuadra për t’u mundur nga të gjithë. Franca ka mposhtur Gjermaninë në “Stade de France” me rezultatin 2-1 në një ndeshje të vlefshme për kompeticionin Uefa Nations League. Ishte një sfidë, ku kombëtarja e “gjelave” ka treguar supermacinë e saj, përballë një Gjermanie, ndoshta më e dobëta e dekadave të fundit. Kombëtarja gjermane pas dështimit në botërorin e Rusisë, ka pësuar mbrëmjen e kësaj të martë humbjen e gjashtë brenda një viti, siç asnjëherë nuk kishte ndodhur më parë.
Ndeshja në fakt nisi më mirë për miqtë që dukeshin më energjik dhe të motivuar. Fillimin e mirë të ndeshjes, Gjermania do e kompletonte edhe me një gol. Është i zakonshmi, Toni Kros që nga pika e bardhë e penalltisë nuk gabon dhe i çon shifrat 1-0 që në minutën e 14’. Goli duket se e gjeti disi të papërgatitur Francën, që nuk e kishte menduar një Gjermani të tillë që në startin e ndeshjes.
Por megjithatë kampionët e botës, u munduan të reagojnë për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje. Përtej të gjithë dëshirës së Francës, pjesa e parë e takimit u mbyll në favor të miqve, që luajtën mirë dhe nuk lejuan hapësira në prapavijë.
Por gjithë historia e ndeshjes do të ndryshonte në fraksionin e dytë. Franca merr në kontroll lojën, duke dominuar mesin e fushës dhe rritur përqindjen e mbajtjes së topit. Pas kësaj loje të Francës, nuk vonoi shumë edhe goli. Në minutën e 62’, do të ishte një nga pretendentët kryesorë për të fituar Topin e Artë, Antoni Grizman, që çon topin në rrjetë. Sulmuesi i Atletiko Madrid gjuan saktë me kokë një kros të lehtë në zonë, duke e mposhtur pa shumë probleme gardianin Manuel Nojer.
There was no stopping this one …
— ESPN FC (@ESPNFC) October 16, 2018
Antoine Griezmann brings France level with a perfect header. (🎥 U.S. only) pic.twitter.com/zFrB5lNbi8
Por nuk kishte mbaruar me kaq, pasi vendasit dëshironin fitoren përballë publikut të tyre. Gjermania nga ana tjetër nuk u përpoq shumë që të rikthehej në avantazh, por më shumë u mundua që të mbronte barazimin. Në minutën e 81’, është sërish Grizman, ai që rrëzon K.O Gjermaninë. Sulmuesi kryesor i Francës nuk e gaboi penalltinë e fituar nga Matiudi.
Me këtë fitore Franca ka konfirmuar edhe një herë veten si skuadra më e fortë në botë momentalisht dhe suksesi këtë verë në Rusi, nuk ishte thjesht një rastësi. Nga ana tjetër Gjermania, me këtë disfatë zhytet në një krizë të thellë, prej së cilës i pari që mund ta pësojë është trajneri, Johakim Lëv.
Në ndeshjet e tjera të Uefa Nations League të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të marte, Uellsi ka mundur Irlandën, Ukraina ka fituar me Çekinë, Sllovenia dhe Qipro janë ndarë në barazim, ndërsa sfida me Norvegjisë dhe Bullgarisë është mbyllur me triumfin e vendasve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.