Mengjesi

Franca: Armët e Ballkanit Perëndimor një kërcënim për Europën!

Franca ka ngritur së fundmi alarmin se kontrabanda e armëve nga Ballkani Perëndimor përbën një rrezik të madh për Europën.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp të mërkurën me homologun e tij gjerman Heiko Maas, ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian ka deklaruar se "miliona armë të lehta që qarkullojnë në Ballkanin Perëndimor paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë europianë".

Deklaratat erdhën në një drekë pune të organizuar në Paris, si pjesë e një takimi të dedikuar për problemin e armëve të vogla që qarkullojë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë takim morën pjesë ministrat e punëve të jashtme dhe të brendshëm të Bashkimit Europian dhe ata të rajonit dhe u diskutuan planet për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ata folën po ashtu për parandalimin e kontrabandës së armëve.

Le Drian gjithashtu shtoi se situata është e papranueshme sepse "terroristët dhe kriminelët vazhdojnë të vrasin njerëz në të gjithë Europën", dhe se gjatë sulmeve terroriste të vitit 2015 në Francë, midis armëve të tjera, janë përdorur edhe kallashnikovët serbë.

"Europoli vlerëson se rreth tre deri në gjashtë milionë armë zjarri qarkullojnë aktualisht nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një numër i madh ", tha ministri francez.

Ai ka shtuar gjithashtu se Franca planifikon të financojë pajisjet dhe softuerin e identifikimit për forcat e sigurisë. Sipas tij Parisi planifikon gjithashtu të emërojë një bashkëpunëtor, i cili do të jetë përgjegjës për luftën kundër kontrabandës së armëve të zjarrit në ambasadën Franceze në Beograd.

Sekretarja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Biljana Popoviq Ivkoviç, deklaroi se Beogradi mbetet një partner i besueshëm për bashkëpunim dhe se është i vendosur të merret me të gjitha sfidat në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ndërkohë edhe ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikola Dimitrov ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të ngushtë me BE-në lidhur me çështjet e sigurisë, përfshirë këtu edhe kontrollin e tregtisë së paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta.

"Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për posedimin, abuzimin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024, të miratuar në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, më 10 korrik (sivjet) është një shkëlqyer kornizë, që plotëson nismat ekzistuese kombëtare dhe rajonale, për të forcuar kontrollin dhe mos-përhapjen e armëve të vogla dhe të lehta ", tha Dimitrov.

Përveç ministrave të jashtëm pritës nga Franca dhe Gjermania dhe përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, ministri i hungarez Péter Szijjártó ishte i vetmi zyrtar që ndoqi konferencën nga një shtet tjetër anëtar i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë