Ne rrjet

Fouad, ish-studenti neonazist dhe i alkoolizuar. Kush është vrasësi që terrorizoi Roterdamin

Banorët e lagjes së tij rrëfejnë çmenduritë e 32-vjeçarit, i cili ishte denoncuar nga fqinji i tij për vrasjen e një lepuri në publik

Gazeta Si - Neo-nazist, i alkoolizuar, i dhunshëm, psikotik dhe i rrezikshëm. 32-vjeçari që vrau tre persona dje në Universitetin Mjekësor të Roterdamit, “Erasmus” i identifikuar si Fouad L., ishte i njohur për sistemin e drejtësisë dhe banorët e lagjes “Delfshaven” ku jetonte. “Duhet të ishte ndalur shumë më herët”, thotë fqinji i tij për Radio Rijnmond.

Të nesërmen e masakrës, si një enigmë, u mblodhën sinjalet që duhet të kishin çuar policinë, por edhe Universitetin Mjekësor Erasmus për ta mbajtur nën vëzhgim të dyshuarin.

Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, Prokuroria e Roterdamit kishte paralajmëruar shkollën mjekësore Erasmus për rrezikun e paraqitur nga Fouad, i përshkruar si një subjekt "psikotik", i dhunshëm dhe potencialisht "i rrezikshëm".

Në një email drejtuar universitetit, prokuroria kishte komunikuar episodet e mëparshme, të cilat tregojnë “sjellje shqetësuese”, si kur ai u gjet gjysmë i zhveshur dhe i mbuluar me gjethe apo kur qëlloi me hark mbi peshqit.

Ose si kur në telefonin e tij u gjetën imazhe të mbledhura nga rrjeti i njerëzve që kishin humbur jetën nga goditjet me thikë.

Fouad, ishte dënuar në vitin 2021, pasi kishte keqtrajtuar publikisht lepurin e tij në gjendje të dehur. Për këtë episod, atij do t'i ishte caktuar 40 ditë shërbim i detyrueshëm në komunitet.

Banorët e lagjes “Delfshaven” konfirmojnë se vrasësi torturonte kafshë dhe për këto arsye ishte denoncuar nga fqinji i tij, viktima e parë e të çmendurit.

“Të gjithë e dinin se ai ishte një djalë i çuditshëm. Ai vrau një lepur duke e goditur me tullë dhe shpesh ishte i dehur”, shpjegoi fqinji i tij.

Policia pas kontrollit, e cilësoi shtëpinë e tij si “të pisët”, “të pashëndetshme” dhe “të mbushura me jashtëqitje kafshësh”. Me atë rast, oficerët gjetën dhe sekuestruan edhe dy harqe.

Në universitet, studenti tashmë kishte sulmuar verbalisht mësuesit që e kishin pezulluar nga mësimet.

Dhe ai shpërtheu me postimet në platformën “4Chan”, të lidhura zakonisht me të djathtën ekstreme dhe zakonisht të përdorur me frymë urrejtjeje, ku flet për një profesor "arrogant" që e pezulloi "për të mos kërkuar falje që erdhi me vonesë në provimin e tij të kotë".

Sipas Fouadit, stafi i universitetit e kishte vënë në shënjestër dhe për këtë arsye ai e shfrynte inatin mbi lepurin: “I dëshpëruar për pezullimin tim të padrejtë, e nxora atë mbi lepurin në një hutim të dehur frojdian”.

"Unë bëra atë që bëra vetëm për shkak të niveleve vdekjeprurëse të alkoolit në gjakun tim dhe traumës së thellë të pezullimit për budallallëqe normale që më shtynë deri në ekstrem", - shkroi ai në një postim tjetër.

Numri i të vdekurve nga të shtënat e ndara në qytetin e Roterdamit të Holandës, nga i njëjti person, është tre të vdekur.

Rasti i parë ka ndodhur në një pallat banimi dhe ka sjellë vdekjen e një 39-vjeçareje dhe vajzës së saj 14-vjeçare. Të dy ishin fqinj të vrasësit, i cili ishte me uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë.

Të shtënat e dyta kanë ndodhur në qendrën mjekësore universitare të frekuentuar nga 32-vjeçari, ku një mësues 46-vjeçar ka ndërruar jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë