Media Galeri

Foto simbol në Ceuta, flet polici spanjoll: Si e shpëtova foshnjën në det

Duket se dëgjon belbëzimet, frymëmarrjen e kontrolluar, fërkimin e rrobave të zhytjes në jelekun e shpëtimit. Mund të ketë pasur britma të të tjerëve në ujë përreth (mijëra emigrantë zbarkuan në Spanjë nga Maroku përmes detit në ditët e fundit), por objektivi i ndalon ato dhe mendja e tij ndjen vetëm përqendrimin në përpjekjen për të mbajtur duart e ngritura.

Ai është një polic, një zhytës i rojës bregdetare, me një mjekër të hollë dhe flokë të shkurtër. Vështrimi është ngulitur në një pikë që mund të jetë drejt plazhit.

Midis dorezave të tij të mëdha të kuqe dhe të zeza, ai mban një fëmijë të porsalindur. Ka frikë se mos e shtypë atë. E mban me dy duart e tij të mëdha, jashtë ujit.

Përpjekja është e madhe për të notuar ashtu me duart e ngritura, por është i vogli ai që nuk duhet të rrezikohet. Veshur me një palë rroba me vija, me doreza dhe një kapuç blu. Ai ose ajo, nuk duhet të jetë në det, as për 10 sekonda.

Koka e vogël është palosur mbi gjoks, lëkura prej mermeri. Në fund të fundit është një foshnjë e gjallë. "Ishte e ngrirë, e ngurtë, e bardhë", por ajo krijesë e vogël vetëm dy muajsh është gjallë.

Fotoja bëri xhiron e botës. Zhytësi i Guardia Civil, quhet Juan Francisco Valle, i njohur si Juanfran. Ai e ushtroi profesionin kur ishte ushtar dhe më pas vazhdoi, tashmë prej 12 vjetësh në Policinë e Madridit.

“Zakonisht, puna jonë, - shpjegon ai për mediat spanjolle, - është të mbledhim trupa të pajetë në det. Nga agimi i së hënës deri në pasditen e së martës, megjithatë, na u desh të shpëtonim një turmë njerëzish që u hodhën në ujë. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë”.

Distanca e bregdetit të Marokut nga ajo e Ceutas, enklava spanjolle në Afrikë, nuk është aq e madhe. Një notar i mirë mund ta bëjë për më pak se 20 minuta.

“Por midis atyre që u hodhën në det, shumë emigrantë nuk dinin të notonin. Ata mbështeteshin në copa druri ose shishe plastike të zbrazëta. Nëna e foshnjës, për shembull, kishte një jelek shpëtimi lodër, - rrëfen polici spanjoll. - Dukej në vështirësi dhe kur u afruam, pashë që ajo kishte një çantë shpine në shpatulla dhe koka e foshnjës kishte dalë prej saj. Nuk mund ta besoja. Mendova se ishte një kukull. Pastaj zgjata dorën dhe ndjeva peshën. I vetmi mendim në atë pikë, ishte ta nxirrnin në breg sa më shpejt të ishte e mundur për ta dërguar te Kryqi i Kuq”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë