Ne rrjet

Foto Dite – Një “Ditë pa Makina” e vakët dhe pa rrobabanjo

"Dita pa Makina" sivjet i ra të jetë ditë fundjave. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, rrugët në Tiranë nuk u bllokuan nga trafiku i makinave, të cilat vitet e tjera janë kufizuar në disa akse të caktuara. Por në mbarë Kosovën, thuajse në të gjitha qytetet vërshuan të rinjtë me biçikleta.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Skënderbej” në Tiranë u vunë re fare pak aktivistë çikletash, kryesisht fëmijë, të cilët bënë një xhiro nëpër kryeqytet dhe kaq. Organizatorët kishin ditë që kishin paralaajmëruar se këtë  xhiro do ta kryenin veshur vetëm me rrobabanjo, por nuk ndodhi kështu. Dita pa Makina zhvillohet në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë.

Bashkia e Tiranës ndërkaq duket se e ka bërë të vetën lidhur me lëvizsshmërinë me biçikleta në kryeqytet. Prej disa muajsh po hapen korsi të reja biçikletash, duke ngushtuar rrugët kryesore. Aksioni është përshëndetur nga të gjithë dhe së fundmi është vënë re edhe një shtim i personave që lëvizin me biçikleta. Por këto korsi të dedikuara, duket se kanë gjetur të papërgatitur pjesën tjetër të përdoruesve të rrugës; shoferët dhe këmbësorët. Të parët ankohen se tashmë nuk kanë vendparkime të mjaftueshme ndanë rrugëve. Të dytët, janë kthyer në pengesë qoftë për shoferët, qoftë për biçiklistët, pasi ecin nëpër korsitë e biçikletave.

Sipas Policisë Rrugore, dhjetëra shoferë janë gjobitur pasi parkojnë në mënyrë të gabuar në këto korrsi. Nga ana tjetër, edhe aty ku korsitë e biçikletave nuk pengojnë qarkullimin, si në Rrugën e Kavajës apo Bulevardin “Zogu i Parë”, janë këmbësorët ato që bëhen pengesë. Ekpertë të sigurisë rrugore shprehen se Bashkia e Tiranës, duhet të kishte bërë më parë një studim të gjerë, pastaj të ndërtonte këto korsi. Ndërkaq Bashkia shprehet se shtimi i korsive të biçikletave ka për qëllim stimulimin e qytetarëve që të lëvizin pa makina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë