Treg

Fondet e investimeve u përmirësuan në tremujorin e parë

Tregi i fondeve të investimit është rimëkëmbur në tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se asetet neto në mesin e këtij viti kishin vlerën e 69.05 miliardë lekëve ose 2.4% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2020.

Me bazë vjetore, rritja e tregut është lehtësisht më e lartë, me rreth 3.1%.

Në muajt e parë të këtij viti, tregu ka dhënë disa sinjale përmirësimi, i nxitur edhe nga fondet e rinj të investimit që kanë nisur të operojnë në treg.

Në tremujorin e parë të aktivitetit, fondi ABI EIA ka raportuar asete neto për një vlerë prej 238 milionë lekësh, ndërsa fondi tjetër, Albsig Standard, arriti vlerën e 138 milionë lekëve.

Tregu vazhdon të jetë i dominuar kryesisht nga fondet e investimit të administruar nga kompania Raiffeisen Invest, që përbëjnë rreth 94% të aseteve neto të tregut.

Për sa i takon monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në lekë, ndërsa ato në euro përbëjnë vetëm 13% të totalit. 

 Fondet në euro kanë një luhatshmëri më të lartë dhe aktualisht kthimet prej tyre janë në vlera negative. Pjesa më e madhe e aseteve në euro janë të investuara në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël investohen në instrumente me rrezik më të lartë, kryesisht aksione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë