Taksa

FMN: Të rishqyrtohet ulja e pragut të TVSH e të paguhen shpejt detyrimet e prapambetura

Shqipëria është e parafundit për efektivitetin e grumbullimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 13 vende të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor.

Kjo është renditje e Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili sugjeron se “Masa e fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë duhet të rishqyrtohet” për të përmirësuar efektivitetin e tatimit.

Sipas FMN-së, në rishikimin e dytë të marrëveshje se re, performanca e dobët e Shqipërisë në efektivitetin e mbledhjes së taksave vjen për shkak të intensitetit të lartë të përjashtimeve, normave të reduktuara dhe grumbullimit të dobët të saj.
Stafi i Fondit rekomandon forcimin e sistemit tatimor duke ndryshuar masat që fragmentarizojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe duke vështirësuar veprimtarinë e bizneseve.

Sipas FMN-së, vlerësimi i efektivitetit të TVSH-së në Shqipëri dhe masat për ta përmirësuar atë varen shumë nga hartimi i politikave dhe suksesi i zbatimit të tyre.
Ashtu si në raportin e mëparshëm, edhe këtë herë Fondi ka përmendur uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, i cili ka filluar të zbatohet nga 1 prilli i 2018-ës. Që në krye të herës FMN ka qenë kundër kësaj nisme të qeverisë shqiptare me argumentin e rritjes së barrën te administrata tatimore dhe nuk do të kishte gjasa të ndikonte në uljen e evazionit fiskal.

Raporti citon se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo rriti me gati një të tretën bizneset në TVSH.

Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi krijon një barrë të shtuar në DPT, kundrejt një kthimi të ulët, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.

Efikasiteti i TVSH në Shqipëri, thekson FMN, cënohet edhe me tej nga detyrimet e prapambetura të rimbursimit të tatimit.

Sipas Fondit, nevojitet veprim i menjëhershëm për të ulur borxhet e vazhdueshme të sektorit publik. Këto borxhe minojnë klimën e biznesit dhe strategjinë e komunikimit të autoriteteve tatimore që synojnë përmirësimin e deklarimeve vullnetare. Stafi u bën thirrje autoriteteve që të sigurojnë pagesën e plotë dhe në kohë të të gjitha kërkesave të rimbursimit të TVSH-së nga tani e tutje. Në këtë kontekst, stafi mirëpriti planet e autoriteteve për të shlyer borxhet e mbetura të rimbursimit të TVSH-së sa më parë që të jetë e mundur (dhe pjesa më e madhe brenda vitit 2019). Gjithashtu është e rëndësishme të ndërmerren masa të shpejta për të forcuar kontrollet për projektet e investimeve për t'i dhënë fund pagesave të prapambetura të qeverisë, në veçanti në infrastrukturën rrugore.

Autoritetet shqiptare i kanë raportuar Fondit se, planifikojnë të trajtojnë çështjen në dy drejtime plotësuese. E para trajton natyrën strukturore të rimbursimeve e TVSH-së, duke reduktuar akumulimin e mëtejshëm të borxheve.

FMN rekomandon se gjenerimi i bazës së TVSH-së dhe eliminimi i normave preferenciale do të përmirësonte dukshëm efektivitetin e të ardhurave të TVSH-së së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë