Ekonomi

FMN: Shqipëria rrezikohet nga borxhi i rritur, financat e dobta publike dhe kreditë e këqija

Tkurrja ekonomike parashikohet 7,5%. Fondi shqetësohet edhe për funksionimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe sistemit tatimor dhe ripshpreh kundërshtinë për amnistinë fiskale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse të fundmisionit thotë se Ekonomia Shqiptare rrezikon në kushtet e dy krizave të njëpasnjëshme nga defiҫitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme.

Në deklaratën përmbyllëse, Misioni i FMN-së vijon të shohë si risk potencial investimet jo transparente, PPP-të dhe funksionimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve.

Gjithashtu FMN sugjeron për një sistem tatinmor më të drejtë, të thjeshtë dhe transparent për tatinmpaguesit me qëllim që edhe të rriten të ardhurat tatimore në rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike pas krizës.

Financat publike

Fondi sugjeron që qeveria shqiptare të baraspeshojë mes mbështetjes për ekonominë dhe adresimit të hendeqeve në zhvillim, me nevojën për të rikrijuar hapësirë për manovrim me politika buxhetore dhe për të ulur borxhin.

“Rritja e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020 për të zbutur ndikimin e krizave është e përligjur. Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020”- citn misioni i FMN-së.

Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i Eurobondit në qershor, thotë FMN, do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim. Ai parashikon që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit. Inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët dhe ne e përkrahim qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë lehtësuese monetare dhe regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Mbështetja për ekonominë, sugjeron Fondi duhet të vijojë në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit. Progres i mëtejshëm në fushën e rikrijimit të hapësirës për manovrim me politikën buxhetore nëpërmjet uljes së defiҫitit fiskal duhet të trupëzohet në një program buxhetor afatmesëm të besueshëm.

Gjatë vitit 2021, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cënuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë, pasi risqet ndaj aktivitetit anojnë kryesisht nga ana rënëse. Vijimi i rindërtimit pas tërmetit duhet të bazohet në një kuadër solid institucional me transparencë dhe llogaridhënie.

“E mirëpresim ndryshimin e bërë kohët e fundit në rregullin fiskal për të pasur një bilanc primar të paktën zero duke filluar nga vitit 2023 dhe vërejmë se ky kusht duhet parë si dysheme dhe jo si objektiv. Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies dhe me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike (MFP). Anashkalimi i nevojshëm i procedurave të MFP-së gjatë situatës së jashtëzakonshme, duhet vënë sa më shpejt brenda rregullave dhe fondet e rindërtimit të tërmetit duhet t’u nënshtrohen masave adekuate kontrolluese të MFP-së, përfshirë planifikimin nëpërmjet procesit buxhetor. Është e rëndësishme të sigurohen procedurat e duhura të prokurimit, monitorim adekuat dhe raportim në kohën e duhur, mbikëqyrje adekuate dhe auditime të pavarura të mëpasshme.”- thotë misioni i FMN-së në deklaratën e tij.

FMN kërkon që përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e kuadrit ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe lufta kundër financimit të terrorizmit duhet të vijojnë.

FMN rithekson kundërshtinë ndaj një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore si edhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen.

Ajo sugjeron rëndësinë e përfundimit, miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie solide afatmesme për të ardhurat në vitin 2021, pas konsultimeve të nevojshme publike.

FMN thotë që një nivel i lartë të ardhurash tatimore është thelbësor për mbështetjen e investimeve shumë të nevojshme në kapitalin fizik dhe atë njerëzor, duke ulur ndërkohë defiҫitet fiskale dhe raportin e lartë të borxhit publik.

Fondi mendon se Sistemi tatimor i Shqipërisë është kompleks dhe i fragmentuar dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc e kanë cënuar stabilitetin dhe transparencën. Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin. Përgatitja në proces e një strategjie afatmesme për të ardhurat ofron një mundësi të mirëpritur për të shqyrtuar dhe riprojektuar në mënyrë të gjithanshme sistemin tatimor dhe duhet të vijojë pa vonesa të mëtejshme. Po ashtu, sipas FMN-së, ka një nevojë urgjente për të fuqizuar menaxhimin e investimeve publike dhe cilësinë e shpenzimeve. Projektet duhen përzgjedhur nga një listë projektesh e gatshme e cila ka kaluar nëpër një proces rigoroz përgatitjeje, vlerësimi dhe prioritizimi që duhet të kontribuojnë mjaftueshëm në një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse.

FMN rithekson thirrjen që ka bërë më parë për një proces të unifikuar për përgatitjen, prioritizimin dhe vlerësimin e të gjitha projekteve të investimeve publike, përfshirë edhe partneritetet publike-private (PPP). FMN sugjeron se përdorimi i PPP-ve me propozim të pakërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Risqet fiskale po rriten dhe duhen monitoruar dhe menaxhuar me kujdes. Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Ligji për PPP-të me të drejtë ka fuqizuar rolin e filtrit që luan Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), e cila duhet të rrisë kapacitetet për të përmbushur këtë detyrë të rëndësishme. MFE duhet të monitorojë nga afër si dhe të raportojë dhe buxhetojë në mënyrë transparente për dy skemat e fundit të dorëzanisë shtetërore. Duhet të vijojë puna për përmirësimin e ecurisë së sektorit shtetëror të energjisë elektrike dhe të ndërmarrjeve të tjera shtetërore (NSH-ve).

FMN thotë se mbetet e shqetësuar që Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë risqe të reja fiskale kur të fillojë nga puna. Autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues.

FMN mendon se këto detyrime të prapambetura, jo vetëm që cënojnë klimën e biznesit dhe besimin tek qeveria, por dëmtojnë edhe flukset monetare të bizneseve në një kohë kur tashmë janë nën trysni për shkak të krizave. Ne e mirëpresim progresin e bërë deri tani për shlyerjen e stokut të detyrimeve të prapambetura të TVSH-së. Një zgjidhje përfundimtare e detyrimeve të prapambetura të TVSH-së kërkon parashikime realiste të të ardhurave, shkëputjen e rimbursimit të TVSH-së nga arkëtimi dhe fuqizimin e masave kontrolluese buxhetore. Po të kemi parasysh nivelin e rritur të borxhit dhe nevojat e larta bruto për financim, duhen rritur përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e likuiditetit dhe të borxhit.

Sektori financiar

FMN sugjeron që të ruhet stabiliteti financiar duke mbështetur ndërkohë huamarrësit e goditur nga krizat. Sistemi bankar ka vijuar të jetë deri tani i qëndrueshëm dhe likuid, por ka xhepa cenueshmërie dhe aftësia e tij rezistuese do të vihet në provë nga krizat.

Në veçanti, niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet për shkak të ndikimit që ka pandemia tek huamarrësit.

“Po të kemi parasysh se goditjet janë veçanërisht të forta dhe ndikimi i tyre i plotë mund të duket në bilancet e bankave vetëm pas disa kohësh, rritja e pikave të cënueshme në banka mund të mos diktohet në kohën e duhur nëse nuk mbahen nën monitorim dhe menaxhohen me kujdes nga Banka e Shqipërisë. Një prioritet afatshkurtër për Bankën e Shqipërisë është monitorimi nga afër dhe orientimi i ristrukturimit të portofoleve të kredive të bankave. Mbështetim ristrukturimin e kujdesshëm të kredive nga bankat, aty ku është i nevojshëm për të mbështetur huamarrësit që kanë marrë goditje. Është e nevojshme të sigurohet kujdesi dhe njëtrajtshmëria e praktikave të ristrukturimit që ndjekin bankat.”- citon deklarata.

 Vendimi i Bankës së Shqipërisë për t’i lehtësuar përkohësisht rregullat për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive mund të vonojë kohën kur ndikimi i goditjeve në cilësinë e aktiveve dhe pozicionin e kapitalit mund të vlerësohet me saktësi. FMN thekson rëndësinë e ruajtes së rregullave për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive në mënyrë që humbjet e mundshme të bankave të vlerësohen sa më saktë është e mundur.

FMN mbështet vendimin për të pezulluar shpërndarjen e dividendëve deri në fund të vitit 2020 dhe rekomandojmë të mbahet në zbatim deri sa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë dhe të vlerësohet pozicioni i kapitalit të bankave, në bazë të rregulloreve vendase por edhe në bazë të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, për të mundësuar kështu amortizimin e humbjeve të ardhura nga krizat. FMN thotë se autoritetet duhet të përgatiten për një rritje të mundshme të kredive me probleme dhe të vijojnë të përmirësojnë kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Duhen rritur përpjekjet: i) për të vënë në funksionim dhe zbatuar me shpejtësi dhe besueshmëri kuadrin e paaftësisë paguese dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme; ii) për të zbatuar kuadrin rregullator për ristrukturimin jashtëgjyqësor të kredive; dhe iii) për të pasur progres në reformën e përmbarimit. FMN vë theksin edhe tek proceset gjyqësore dhe përmbarimi. Me rëndësi do të ishin, thotë FONDI edhe përmirësimet e procesit gjyqësor. Nevojitet vijimi i punës për të harmonizuar kuadrin rregullator të Shqipërisë me standardet ndërkombëtare. Procesi i zbatimit duhet të vijojë, pavarësisht se bankave mund t’i jepet një periudhë mjaftueshëm e gjatë e zbatimit me faza për të shmangur prociklizimin dhe pengesat e punës gjatë pandemisë.

“Rekomandojmë ndjekjen nga afër të risqeve që vijnë nga huadhënia mes palëve të lidhura, huadhënia ndërkufitare dhe ekspozimet e mëdha.”- citon deklarata.

Risku i një pandemie më të rëndë- Gatishmëri për t’u përshtatur dhe për të ruajtur stabilitetin

FMN thotë se kjo pasiguri e paprecedentë e pandemisë nënvizon rëndësinë që ka planifikimi i rezervave. Në rastin e një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të marrin masa të reja për të siguruar ofrimin adekuat të kujdesit shëndetësor dhe për të mbrojtur grupet më në nevojë, duke identifikuar mundësitë për rishpërndarje të buxhetit dhe financime shtesë dhe për të mbajtur likuid tregun e brendshëm financiar. Autoritetet duhet të qëndrojnë në gatishmëri për të marrë këto masa si edhe masa të tjera që mund të jenë të nevojshme, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik dhe financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë