Ekonomi

FMN, qeverisë: Kufizoni PPP-të, rrezik për financat publike

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e dytë të programit të post monitorimit për vendin tonë, pasi vlerëson progresin me disa reforma, rendit rreziqet që i kanosen financave të vendit kryesisht nga PPP-të, migrimi dhe plakja e popullësisë.

Raporti i FMN-së paralajmëron se për shkak të rezultatit të borxhit ende të lartë publik, nevojave relativisht të mëdha për financim dhe rritjes së detyrimeve potenciale, goditjet e rënda negative ndaj rritjes ose edhe nga përkeqësimi i kushteve financiare rajonale, mund të dëmtohen shpejt financat publike të Shqipërisë.

FMN edhe këtë herë i tërheq veshin qeverisë shqiptare për financimet e veprave me anë të Partneritetit Publik Privat duke e klonsideruar një nga rreziqet më të mëdha për bilancin publik.

Shqipëria përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë në krahasim me rajonin, gjë që aktualisht po adresohet përmes përdorimit të gjerë të PPP-ve. Më shumë se 200 projekte PPP ose 31 përqind e PBB-së janë kontraktuar, dhe të tjera me vlerë rreth 15 përqind e PBB-së janë në proces, të cilat sipas FMN-së nuk janë të integruara mirë në kuadrin e përgjithshëm të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me vlerësimin e fizibilitetit, përballueshmërisë dhe rreziqeve.

FMN evidenton gjithashtu se pagesat e parashikuara në buxhetin vjetor të shtetit për PPP-të po i afrohen kufirit të ligjshëm që arrin në 5 përqind të të ardhurave fiskale të vitit precedent.

Projektet e gjenerimit të energjisë përbëjnë rreth 23 për qind të PBB-së dhe mbulohen nga marrëveshjet e blerjes së energjisë që përcaktojnë çmimin e blerjes, me pak rrezik të dukshëm fiskal të mbetur.

Shumica e projekteve të tjera kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe janë ende në fazën e planifikimit ose ndërtimit. Rreziqet fiskale shoqëruese do të mund të materializoheshin në afat të mesëm ose afatgjatë.

Fondi I kërkon qeverisë të përdorë amendamentet e propozuara në ligjin për PPP për të kufizuar rreziqet nga detyrimet potenciale të lidhura me këtë mekanizëm financimi dhe për të siguruar menaxhim më të qëndrueshëm të investimeve publike pasi siç shpjegon FMN, kjo është e rëndësishme për të mbrojtur financat publike.

Rreziku që paralajmëron FMN në lidhje me PPP-të në infrastrukture është hartimi i dobët i tyredhe rritja e detyrimeve potenciale. Sipas FMN-së, kjo do të pengonte eficiencën e investimeve publike dhe do të krijonte detyrime të mëdha potenciale duke shkatërruar qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit.

FMN ka sugjeruar gjithashtu në lidhje me krijimin e Koorporatës së Investimeve, rishikimin e propozimeve me qëllim shmangjen e rreziqeve ndaj buxhetit dhe për integritetin e kuadrit të menaxhimit të investimeve publike. “Në formatin që është, projektligji do të lejonte qeverinë të merrte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin AIC në një instrument shpenzues jashtë buxhetit, që do të rrezikonte të anashkalonte proceset e menaxhimit të investimeve publike. Në vend të kësaj, kuadri duhet të sigurojë që Koorporata të veprojë në baza komerciale dhe të jetë një zgjatues i qeverisë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e Koorporatës në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve”- rekomandon Fondi duke shtuar kufizimin e kontributit financiar të qeverisë në koorporatë dhe ta bëjë koorporatën subjekt të Ligjit të Prokurimit Publik.

Në raport thuhet gjithashtu se ekonomia shqiptare është e aftë të paguajë detyrimet ndaj fondit, si rrjedhojë e stabilitetit makroekonomik, si dhe progresit me reformat. FMN thotë se, këtë vit ekonomia do të ngadalësohet në 3.5%, ashtu siç projektonte edhe në raportin e kaluar të fillimmajit. Ngadalësimi do të vijë si pasojë e efektit të mosprodhimit dhe moseksportimit të energjisë elektrike, por edhe faktorëve të jashtëm. Vitin e ardhshëm, Prodhimi i Brendshëm Bruto projektohet të rritet me një normë në 4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë