Menaxhim

FMN, qeverisë: Frenoni investimet ambicioze, fokusohuni tek rindërtimi pas tërmetit dhe vaksinimi

Pas përfundimit të një misioni në distancë me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN), i ka rekomanduar qeverisë që të moderohen investimet publike ambicioze të financuara me burime të shëndetshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale.

Në deklaratën zyrtare për shtyp, FMN gjithashtu i ka kërkuar qeverisë shqiptare të përqendrohet tek vaksinimi, tek rindërtimi pas tërmetit si dhe të miratojë sa më shpejt një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat.

Fondi vlerësoi se ekonomia u tkurr nga pandemia më pak sesa pritej, por, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme.

Sipas deklaratës, një ekip i FMN, nën drejtimin e zonjës Yan Sun, zhvilloi një mision në distancë me Shqipërinë gjatë periudhës 7-11 qershor.

Në përfundim të këtij misioni, Znj. Sun tha: “Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë. Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3% si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. Sidoqoftë, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Inflacioni është rritur nga çmimet më të larta ndërkombëtare të mallrave të bursës, por është ende shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe presionet inflacioniste kanë mbetur të ulëta.

Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontigjencën".

 FMN tha se në këtë kontekst, objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh (rreth 3.8% e PBB-së) është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje për ekonominë. Një stimul shtesë duhet të merret parasysh vetëm në rast se rimëkëmbja e pritshme nuk materializohet. Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, inisiativat e planifikuara nga autoritetet  shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm.

"Një Strategji e shëndoshë afatmesme për të Ardhurat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ecja përpara me këtë reformë të kahershme duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e burimeve të nevojshme për të arritur objektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Reforma të tjera prioritare që duhet të ndiqen me më shumë këmbëngulje përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare. Së fundmi, ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten dhe fondet e rindërtimit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike”, thuhet në deklaratë.

FMN thekson se mbështet qëndrimin e politikës monetare lehtësuese të BSH, pasi presionet inflacioniste mbeten të dobëta dhe pritjet për inflacionin të mirëankoruara. Vendimi i BSH për t’i dhënë fund relaksimit të përkohshëm të klasifikimit të kredive dhe rregullave të provigjionimit është gjithashtu i mirëpritur.

FMN shton se për të ruajtur mirëkapitalizimin e bankave derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve të tyre, BSH duhet të vazhdojë të kufizojë shpërndarjen e dividendëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë