Para

FMN parashikon që ekonomia globale do të rritet 6% këtë vit

Fondi Monetar Ndërkombëtar përditësoi parashikimin e tij të rritjes ekonomike globale ndërsa paralajmëroi për zgjerimin e pabarazisë dhe mospërputhjes midis ekonomive të përparuara dhe atyre më pak të zhvilluara.

FMN deklaroi në Parashikimin Ekonomik Botëror se ekonomia globale do të zgjerohet 6% këtë vit, nga 5,5% që ishte ritmi i vlerësuar në janar.

Kjo do të ishte rritja më e lartë në katër dekada që vjen pas një tkurrjeje prej 3.3% të vitit të kaluar e cila ishtë rënia më e ndjeshme që nga koha e Depresionit të Madh.

FMN nënvizoi që bankierët qendrorë duhet të japin udhëzime të qarta mbi politikën monetare për të minimizuar rrezikun e flukseve që mund të dëmtojnë kapitalin.

Fondi përsëriti sërish thirrjen e tij drejtuar kombeve të pasura që të ndihmojnë vendet e varfra në luftën kundër Covid-19 si dhe theksoi nevojën për t’i dhënë përparësi shpenzimeve të kujdesit shëndetësor në mënyrë që pandemia të mposhtet.

Paketa stimuluese e Presidentit Joe Biden me 1.9 trilion dollarë e miratuar muajin e kaluar, do të ndihmojë në rritjen e produktit të brendshëm bruto të SHBA-së  mbi nivelin para-pandemik këtë vit dhe do të ketë efekte  të konsiderueshme pozitive për partnerët tregtarë.

Për vitin 2022, fondi parashikon një rritje prej 4.4%, më e lartë se 4.2% e parashikuar më parë.

Megjithatë, Fondi theksoi se shumë ekonomi të përparuara nuk do të kthehen në nivelet e tyre para-pandemike deri në 2022 dhe se ekonomitë e tregut në zhvillim mund t’i rikuperojnë nivelet e tyre në vitin 2023.

 Ekonomia botërore në 2024 do të jetë rreth 3% më e vogël sesa parashikohej para shpërthimit të Covid-19.

Fokusi i takimeve të FMN këtë javë do të jetë emetimi i propozuar prej 650 miliardë dollarësh i aktiveve rezervë, që njihen si  “të drejtat speciale” dhe kanë si qëllim rritjen e likuiditetit global dhe ndihmën për kostot e vendeve me të ardhura më të ulëta që lidhen me Covid-19.

Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë