Ekonomi

FMN kundër lehtësimit të rregullave fiskale në BE gjatë krizës energjetike

FMN ka paralajmëruar Bashkimin Europian që të mos i përgjigjet krizës energjetike duke lehtësuar rregullat fiskale, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe qeveria e saj argumentojnë se blloku mund të ketë nevojë të pezullojë paktin e tij për kufizimin e deficitit.

Rodrigo Valdés, drejtor i departamentit të çështjeve fiskale në FMN, tha se të gjitha ekonomitë, përfshirë BE-në, duhet të ruajnë “rregullat mbrojtëse fiskale”, duke pasur parasysh rritjen e borxhit publik dhe sjelljen e paqëndrueshme të tregjeve të obligacioneve në mbarë botën.

“Ne mendojmë se do të jetë shumë e rëndësishme që rregullat të mbeten në fuqi për Evropën dhe për të gjitha vendet,” tha Valdés në një intervistë për FT. “Duke pasur parasysh borxhin më të lartë dhe mënyrën se si janë sjellë tregjet vitet e fundit, është e rëndësishme të mbahen këto mbrojtje fiskale.”

FMN paralajmëroi të mërkurën se në shumë pjesë të botës nuk ka pasur “asnjë progres domethënës në rregullimin e buxheteve” në vitin 2025 dhe se dritarja për “konsolidim fiskal të rregullt” po ngushtohet.

Në raportin e saj “Fiscal Monitor”, Fondi tha se borxhi publik pritet të arrijë në 100% të PBB-së globale deri në vitin 2029, një vit më herët se sa ishte parashikuar më parë,  një trajektore e nxitur nga rritja e borxhit në dy ekonomitë më të mëdha në botë, SHBA dhe Kina.

Presionet mbi financat publike pritet të rriten edhe më tej, pasi lufta në Iran po dëmton aktivitetin ekonomik dhe po rrit kërkesat për ndërhyrje shtetërore për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë mbi familjet dhe bizneset.

Në tregjet kryesore të obligacioneve evropiane, Britania e Madhe, Italia dhe Franca kanë shënuar rritjet më të mëdha të kostove të huamarrjes pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt.

Ndërsa ndërmjetësuesit po përpiqen të arrijnë një marrëveshje paqeje Iran–SHBA, forcat detare amerikane kanë nisur të zbatojnë një bllokadë të porteve iraniane, dhe vetëm pak anije po kalojnë tani në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit botëror.

Në një deklaratë të përbashkët në Uashington, 11 ministra financash u zotuan të mërkurën se reagimet ndaj krizës energjetike do të mbeten “fiskalisht të përgjegjshme dhe të targetuara”, duke pasur parasysh kufizimet buxhetore të shteteve.

Duke mirëpritur armëpushimin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ata paralajmëruan se rifillimi i konfliktit ose zgjerimi i tij do të përbënte “rreziqe serioze shtesë për sigurinë energjetike globale, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin ekonomik e financiar”. Nënshkruesit ishin Britania e Madhe, Australia, Japonia, Suedia, Holanda, Finlanda, Spanja, Norvegjia, Irlanda, Polonia dhe Zelanda e Re.

Ministri italian i financave Giancarlo Giorgetti ka argumentuar më herët këtë muaj se, nëse kriza energjetike vazhdon, duhet të merret në konsideratë “pezullimi i përkohshëm i Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes”. Edhe Meloni ka hedhur idenë e një pezullimi të përgjithshëm të rregullave fiskale.

Gjatë pandemisë Covid-19, BE aktivizoi një klauzolë të përgjithshme për të lejuar shtetet të rrisnin shpenzimet publike masivisht pas rënies së ekonomisë gjatë izolimeve. Më pas, rregullat u rishikuan dhe u rikthyen në fuqi.

Ndërkohë, Valdés tha se një goditje e ofertës si ajo e luftës aktuale në Lindjen e Mesme nuk kërkon “rritje fiskale apo stimul ekonomik”, pasi kjo do ta vështirësonte punën e bankave qendrore në kontrollin e inflacionit.

“Nëse bëhet politikë fiskale agresive, në fund i krijohet më shumë punë bankës qendrore, sepse ajo duhet të balancojë kërkesën dhe ofertën,” tha ai./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë