Ekonomi

FMN kundër amnistisë fiskale

Shqipëria do të tkurret ndjeshëm gjatë 2020-ës

FMN është qartë kundër amnistisë fiskale dhe heqjes së tatimfitimit e TVSH-së për biznesin e vogël.

Po ashtu ajo sugjeron qeverinë shqiptare të rrisë përpjekjet për të menaxhuar risqet fiskale në rritje, përfshirë PPP-të, gjithashtu sipas saj duhet të forcohet cilësia e menaxhimit të investimeve publike.

FMN vazhdon të jetë konseguente në qëndrimet e saj në lidhje me këto politika të qeverisë shqiptare.

Pas kryerjes së një misioni në distancë në Shqipëri mes datave 25 qershor-1 korrik, drejtuesja e misionit Yan Sun në deklaratën përfundimtare është shprehur se “Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH- në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë. Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm. Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat”.

Për FMN, vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore.

Gjithashtu, FMN rithekson këshillën kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi sipas saj, do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Fondi thotë se duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.

FMN parashikon një tkurrje të theksuar të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2020, por nuk thotë një shifër të rishikuar krahasimisht me parashikimin paraardhës që ishtë -5% pasi argumenton se situata është shumë e paqartë nisur nga pandemia dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Pritshmëria afatshkurtër për ekonominë shqiptare mbetet e vështirë, çka pasqyron efektet e ndjeshme të tërmetit të muajit nëntor 2019 dhe të pandemisë së COVID-19. Si në të gjithë botën, por edhe si rrjedhojë e varësisë së Shqipërisë nga turizmi dhe nga dërgesat e emigrantëve, ekonomia pritet të tkurret ndjeshëm në vitin 2020 dhe të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021. Kjo pritshmëri është objekt i pasigurive të mëdha të pazakonta, duke pasur parasysh natyrën e goditjes nga pandemia.”- citon Yan Sun në deklaratën e saj.

FMN konkludon se Stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është ruajtur deri tani, falë menaxhimit të mirë të politikave dhe falë kushteve financiare lehtësuese në botë. Për të përballuar pasojat e pandemisë dhe të tërmetit, thotë ajo, është e nevojshme një rritje e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020, për të mbështetur ekonominë dhe për të siguruar fonde për shpenzime në shëndetësi dhe për rindërtimin.

“Pasi të jenë qetësuar efektet e këtyre goditjeve, do të jetë me rëndësi kritike rifillimi i konsolidimit fiskal të bazuar në të ardhurat buxhetore dhe vendosja e borxhit publik në një trajektore të qëndrueshme zbritëse, në mënyrë që të rikrijohet hapësira për përgjigje nëpërmjet politikave buxhetore”- thotë FMN.

Fondi shprehet se nxit fuqimisht autoritetet për të vijuar përgatitjen e një Strategjie Afatmesme për të Ardhurat për të ngritur një sistem tatimor më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent, i cili do të sigurojë burimet e nevojshme për të arritur objektivat e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit.

FMN mendon se Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë (BSH) mbetet e përshtatshme. Vijimi i fleksibilitetit në kursin e këmbimit për Fondin do të ndihmonte në amortizimin e goditjeve dhe në rivendosjen e bilancit të jashtëm. Sistemin bankar në përgjithësi pandemia e gjeti likuid dhe të kapitalizuar mirë. Por, forca e tij përballuese, thotë FMN, do të sprovohet dhe pikat e dobëta, përfshirë këtu edhe stoku akoma i lartë i kredive me probleme, do të duhet të monitorohen nga afër dhe të administrohen.

Për të, mbajtja e pandryshuar e rregullave të klasifikimit të kredive dhe provigjonimeve është e rëndësishme për vlerësimin sa më saktë të humbjeve të mundshme të bankave.

FMN mbështet ristrukturimin e matur të kredive aty ku është e nevojshme për ato sektorë dhe biznese që janë prekur nga goditjet.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë