Financa Personale

FMN: Familjet shqiptare 1,4 mld euro borxh

Mes kredive në banka dhe huamarrjeve të tjera, shqiptarët kanë gjithsej 1,4 mld euro borxh ose 11.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2017.

Të dhënat i ka publikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar në databazën e saj për borxhin global.
Sipas të dhënave të FMN-së, familjet shqiptare kanë një nivel më të ulët borxhi në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në Kroaci, po sipas FMN, ky tregues është 34% e PBB-së, në Maqedoni 24.5%. Kurse për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë të dhënat në data bazën e FMN-së mungojnë.

Në vendet e zhvilluara, borxhi i familjeve është edhe më i lartë, p.sh. në Gjermani është rreth 53% e PBB-së, në Itali 41.3%, në Suedi 88% kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës afërisht 80%.

Megjithatë duke ditur që në Shqipëri numërohen 769 mijë familje (referuar të dhënave të INSTAT), borxhi mesatar për një familje llogaritet rreth 1,800 euro.
Megjithëse niveli i borxhit familjar ka mbetur i pandryshuar dy vitet e fundit, familjet shqiptare me të ardhura mesatare e poshtë as mund të kursejnë, as mund të marrin një hua të re për shkak të mungesës së aftësisë së tyre paguese. Sipas Bankës së Shqipërisë, familjet që aktualisht kanë një hua, 17 % e tyre janë nga burime informale dhe 5% e huave janë marrë për konsum të përditshëm.

Të dhënat e Raportit të Stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë prej vrojtimit të gjashtëmujorit të parë të vitit tregojnë se, vlera e pasurisë financiare të individëve rezidentë, në formën e kursimeve/ investimeve në depozita, tituj apo kuota të fondeve, ka shënuar rënie.

Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë. Rreth 83% e huasë është siguruar nga burime formale dhe 17% nga burime joformale.

Rezultatet e vrojtimit tregojnë se 35% e tepricës së huasë është marrë për blerjen/riparimin e një prone, 41% për zhvillimin e një biznesi dhe vetëm 5% për konsum. Rreth 60% e familjeve huamarrëse deklarojnë se “aftësia e tyre paguese” nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përkeqësim krahasuar me 6-mujorin paraardhës dhe një vit më parë.

Për gjysmën e dytë të vitit 2018, shumica e familjeve huamarrëse (rreth 74%) nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa pjesa tjetër tregon për një përkeqësim të lehtë. Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së dytë të vitit 2018, rezulton në rënie krahasuar me një vit më parë, pikërisht me mungesën e besimit që të ardhurat e tyre mund të rriten.

Nga vrojtimi rezulton që rreth 28% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar.
Indeksi i mundësisë për të rimarrë një hua të re ka rezultuar 0.16, në rënie krahasuar me një vit më parë.


Borxhi më i lartë i marrë prej familjeve shqiptare është arritur në vitin 2008, me rreth 13% të PBB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë