Analize

Flota hije dhe braktisja e turpshme e marinarëve

Nga Elisabeth Braw - Më 6 mars, një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi vrau 3 anëtarë të ekuipazhit në anijen tregtare me flamurin e Barbados, True Confidence, në ujërat e Detit të Kuq. Ishin viktimat e para në fushatën e sulmeve të kësaj milicie kundër transportit detar në rrugët kryesore. Dy të tjerë u plagosën rëndë.

Por ndërsa ai ka të ngjarë të mos jetë një incident i izoluar, dhe të shohim më shumë sulme të tilla vdekjeprurëse në të ardhmen, detarët e tjerë po përjetojnë vështirësi të një lloji tjetër: pronarët e tyre po i braktisin ata dhe anijet e tyre. Ndërsa numri i këtyre detarëve të braktisur vazhdon që të rritet, bota duhet të nisë t’i kushtojë vëmendje gjendjes së tyre, dhe t’i bëjë thirrje komunitetit të inteligjencës me burim të hapur (OSINT) që të ndihmojë në hetimin e rasteve të tilla.

Kjo është një dramë vizualisht më pak dramatike sesa sulmet e Houthi. Megjithatë përmban shkelje tronditëse të rregullave, pasi një numër në rritje marinarësh po braktisen nga pronarët e anijeve të tyre, të bllokuar ndonjëherë në bord për muaj apo edhe për vite të tëra. Dhe një fajtor kryesor pas këtij fenomeni në rritje, duket të jetë flota hije në rritje.

Për shembull më 18 dhjetor 2023, 11 detarë indonezianë që punonin në anijen e transportit me flamurin e Sierra Leone, Grand Sunny, e kuptuan se pronari i anijes nuk mund të kontaktohej më dhe kështu mbetën të bllokuar në portin kinez Nansha.

“Ne po përpiqemi të çojmë sa më shpejt ushqim dhe ujë në anije”-deklaroi më 19 dhjetor Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit (ITF). Këta marinarë mbeten të bllokuar që nga ajo kohë. Për më tepër, pronarja e anijes, kompania Thousand Star International Ltd., është aq e vogël sa që për të nuk ka pothuajse asnjë informacion. Këta indonezianë të braktisur nuk janë të vetmit marinarë të bllokuar në anijet e tyre.

Në portin francez Lorient, 3 detarë gjeorgjianë kanë mbetur të bllokuar në akullthyesin e tyre me flamurin e Tanzanisë që nga 7 dhjetori i vitit të kaluar. “Ekuipazhi është në rrezik pasi anija është e vjetër, dhe motori nuk funksionon siç duhet”- vuri në dukje ITF në deklaratën e saj.

Detarët e braktisur po paguajnë çmimin për varësinë e botës ndaj mallrave që vijnë nga vende të tjera.

Ndërkohë, në portin brazilian Macapa 23 marinarë rusë janë bllokuar në anijen me flamurin e ishujve Saint Kitts dhe Nevis që nga 1 dhjetori 2023. Dhe këto janë vetëm disa nga rastet më të fundit. Në portin italian Messina-s, 5 ukrainas dhe 1 rus mbetën të bllokuar për gati 3 vjet në anijen e transportit “Bella” me flamurin e Kamerunit.

Në të gjitha këto raste, marinarët mbeten bllokuar sepse pronarët e anijeve i kanë braktisur ato. Sipas rregullave, edhe pronarët e anijeve që përjetojnë kohë të vështira nuk lejohen të injorojnë anijet dhe ekuipazhet e tyre. Por shumë njerëz e bëjnë këtë.

Gjithsesi, rregullat detare e parandalojnë ekuipazhin të braktisë anijet e tyre, përveç rrethanave më ekstreme. Pra në thelb vetëm nëse anija është duke u fundosur. Pra, ndërsa këta pronarë janë shumë larg anijes dhe ndonjëherë janë të pakontaktueshëm, ekuipazhet mbeten të bllokuara për shumë kohë.

Gjatë pritjes së tyre, gjendja e anijes përkeqësohet (pasi pronari ka ndaluar së paguari për mirëmbajtjen), dhe zakonisht marinarët nuk paguhen. Në fakt, po të mos ishte për autoritetet portuale, ITF dhe organizatat bamirëse si Misioni për Detarët, shumë nga këta anëtarë të ekuipazhit nuk do të kishin as qasje tek ushqimi dhe gjërat e tjera të nevojshme.

Dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Sipas një raporti të ITF, jo më pak se 132 anije u braktisën nga pronarët e tyre vetëm vitin e kaluar. Kjo është një rritje prej 11 për qind nga viti 2022.

“Marinarët dhe familjet e tyre po paguajnë koston e lakmisë dhe shkeljet e rregullave nga pronarëve të anijeve, duke u përballur me pasojat çnjerëzore të një sistemi që e komprometon mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut”- tha Koordinatori i Inspektoratit të ITF, Steve Trowsdale.

Një dukuri që ka luajtur një rol kryesor në shtimin e braktisjes së marinarëve është flota hije. Kjo flotë - me anijet e saj të vjetra dhe të mbajtura shumë keq dhe me pronarët e panjohur që nuk sigurohen tek kompanitë perëndimore (standardi i kësaj industrie) dhe e ndryshojnë shpesh flamuri, përfshin tani rreth 1.400 anije.

Gjatë krizës së Covid-19, kur vendet mbyllën kufijtë e tyre dhe u mohuan marinarëve të drejtën për të zbarkuar, rreth 400,000 marinarë mbetën të mbërthyer në anijet e tyre pasi përfunduan kontratat e tyre

Ato lundrojnë nëpër oqeanet e botës duke transportuar të gjitha llojet e mallrave - sidomos naftë - drejt dhe nga vendet e sanksionuara si Irani, Venezuela dhe më e rëndësishmja Rusia. Këto anije hije ekzistojnë dhe mund të shihen me sy të lirë, por për shkak se ato operojnë jashtë botës zyrtare të transportit, askush nuk mund të bëjë shumë për to.

“Covid pati një ndikim të madh në transportin detar, dhe aftësia e kufizuar e ekuipazheve për të ndryshuar shkaktoi probleme të mëdha”- vuri në dukje Simon Lockwood, një ndërmjetës global i sigurimeve në kompaninë Willis Towers Watson.

“Tani këto probleme janë përkeqësuar më tej nga shfaqja e flotës hije”- theksoi ajo.

Gjatë krizës së Covid-19, kur vendet mbyllën kufijtë e tyre dhe ua mohuan marinarëve të drejtën për të zbarkuar, rreth 400.000 marinarë mbetën të mbërthyer në anijet e tyre pasi përfunduan kontratat e tyre. Dhe tani sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Dhomës Ndërkombëtare të Transportit, Guy Platten, “rritja e flotës hije ka kontribuar në shtimin e dukurisë së braktisjes së marinarëve .

“Si mund të ndodhë që Gaboni të jetë shteti me rritjen më të madhe në botë të flotës tregtare? Kjo ndodh për shkak të flotës hije”- thotë ai.

Në fakt edhe sot, 98 për qind e anijeve që lundrojnë nën flamurin e Gabonit, konsiderohen me rrezik të lartë ose nuk kanë një pronar të identifikueshëm. Nëse braktiset një anije që lundron nën flamurin gabonez, është praktikisht e pamundur ta gjesh pronarin, e lëre më pastaj t’i detyrosh të paguajnë pronarët e saj.

“Shtetet portuale duhet të bëjnë shumë më tepër për t’i ndihmuar detarët, por ata priren të dëshirojnë një ekuipazh në bord për ta mbajtur anijen të sigurt”-tha Platten. Detarët e braktisur, po e paguajnë në kurrizin e tyre koston e varësisë së botës ndaj mallrave që vijnë nga vende të tjera.

Dhe pronarët do të vazhdojnë të fshihen, sepse kanë mundësi që ta bëjnë këtë. Por ndërsa një flotë e tillë ekziston për të mbetur në hije, bota ka gjithashtu një numër në rritje hetuesish të OSINT. Dhe ky komunitet, mund të ndërmarrë veprime shumë të nevojshme për detarët e braktisur, duke e hetuar vendndodhjen e këtyre pronarëve të arratisur.

Burimi: Politico.eu/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë