Muzike

Flladi i nostalgjisë për Ritfolk

Edhe ne i patëm Beatles-at tanë. Në fillim të viteve ’90, atëherë kur edhe muzika u çlirua nga vargonjtë e censurës dhe të izolimit, kur grupet hard rock dhe heavy metal nisën të shpërthejnë me vokalet e ngjirur dhe kitarat elektrike, në skenën e festivalit të këngës do të ngjiteshin katër djem të rinj, veshur me këmisha të bardha, kravata e jelekë, me kitara akustike e harmonikë, me modele flokësh që të ndërmendin Paul McCartney apo John Lenon.


Ishte dhjetor i vitit 1991, kur Ritfolk u ngjitën për herë të parë në skenën muzikore, duke rrëmbyer njëherë e përgjithmonë zemrat e publikut. Mbrëmjen e 8 qershorit, Braho dhe Goci do të rivizitojnë stacionet e rëndësishme të “Ritfolk”, në skenat e festivaleve të këngës. Pas prezantimit të parë më 1991, me “Ëndërroj”, do të merrnin pjesë në festivalin e 33-të, në dhjetor ’94 me këngën “Dëshirë dhe heshtje” . Vargjet që përcjellin melankoli dhe ndjenja dashurie, u ngulitën po aq thellë sa edhe kënga e tyre e parë, ndërsa refreni i ngjante një pikture, me peizazh dimri…
Kam ftohtë e s’të shoh pranë
mendoj, mendoj se si
avujt e ngrohtë të frymës sime
si zogj të bardhë e të verbuar
mbërrijnë tek ti.
Në ëndërr vijnë e qetë këndojnë
e unë, me sytë pak mbyllur rri
kokën ngre lart, dëgjoj ngadalë
këngën e hënës të brishtë si zanë
që solle ti…

https://www.youtube.com/watch?v=BCdQbMvWT8M


Dhjetori i vitit tjetër i gjeti sërish në skenën e Pallatit të Kongreseve, në festivalin e 34-të të Këngës në RTSH, me një tjetër këngë romantike, “Ndjenjë e Dashuruar” .
Harrohemi në brigje prekjesh
ne këngë vetëtimash
në dete të artë buzëqeshjesh
ecim mbi perla vargjesh
në majat e lira
ku vetëm një zë është dëgjuar
hej, hej, jam dashuruar.

Në tekstet e këngëve të “Ritfolk” ndihej dora e poetit modernist Ervin Hatibi, një nga përfaqësuesit e brezit të ri të fundit të komunizmit dhe nisjes së tranzicionit. Kështu Hatibi do të linte gjurmë jo vetëm në letërsinë moderne shqipe që e përcolli deri në thellësitë e psikes amullinë dhe kaosin e shoqërisë së gjendur beftë dhe papërgatitur në një rend të ri, pa ditur ç’të bëjë me lirinë e dhuruar, por edhe në muzikën e atyre viteve. Pena e Hatibit dhe tingujt e Ritfolk ishin kombinim si një melhem për rininë e trazuar dhe pa siguri të viteve ’90.

https://www.youtube.com/watch?v=FODR9lgJVaI


Ishin vite, kur festivali i këngës në RTSH ishte thuajse e vetmja skenë për karrierën muzikore dhe “Ritfolk” do të ishin aktivë në dekadën ’90, duke marrë pjesë edhe në festivalin e 35-të me këngën “Këtë Mëngjes”.
Në dhjetor të vitit 1997, kur shoqëria shqiptare vuante efektet e çrregullimit të stresit post-traumatik, pas luftës civile të pranverës, djemtë e “Ritfolk” , u ngjitën në skenë me këngën “Cilët jemi ne”.
Mbi dritën e bardh të hënës
dy pika të vogla jete nisën
dhe natën kur dhe qetësia hesht
në ajër dy krah përplaseshin (ngadalë)
thonë se është një zog që bijtë i sillen rrotull
në natën ku yjet këndonin
këngën e lasht të nënës që djemve
u fal jetë nga jeta e saj
kur ndaluam një çast
pyetëm veten ku jemi vallë
dhe pamë në mesin tonë një zog të vrarë
dhe përreth ishim ne bijtë e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=8w3Ce8gb7jI

Hëna dhe yjet ishin elementët të pa munguar në vargjet ëndërrimtare të grupit “Ritfolk”, që bënë të ëndërronin edhe breza të tjerë pas tyre. Megjithëse grupi do të shpërbëhej më 1997, dy vjet më vonë ata do të merrnin pjesë në festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Do të të them diçka”…
Më dëgjo
Do të them diçka
Më pëlqen kur pranë meje rri
Më pëlqen kur flas me ty
Më pëlqen kur heshtim të dy
Nuk e di pse, nuk e di…
Ky koncert ribashkimi priti plot 22 vjet, ndërsa për një brez që i jetoi shpresat dhe zhgënjimet e rinisë me muzikën e “Ritfolk”, është një zhytje në ujërat e nostalgjisë dhe kohës që pavarësisht se ikën pa u ndalur, i bindet fuqisë së muzikës, qoftë edhe për pak çaste, të kthehet pas.
Ishte reklama e një banke të nivelit të dytë, që i bëri bashkë Saimir Brahon dhe Altin Gocin, me një skenar që me nota humori hidhnin dritë pas dy dekadash mbi arsyet që çuan në ndarjen e djemve. Grindja dhe ndarja kishte ardhur për një oboe, ndërsa ata performonin këngën “Afrohu”.


“Pas mëse njëzet vitesh, dy mite të muzikës moderne shqiptare po bëhen gati të rikthehen në skenë. Pritshmëria është e lartë, i lartë është dhe kurioziteti. Të gjithë kanë të njëjtën pyetje, po Ritfolk pse u ndanë?”, thuhej në tekstin e reklamës, ndërsa dy këngëtarët vendosën ta bëjnë realitet inskenimin e reklamës, në ribashkimin e tyre 22 vite më pas.
“Ne gjithmonë e kemi pasur një mungesë dhe aq më tepër publiku. Vazhdimisht e vazhdimisht e kërkonin këtë gjë, por janë bërë sebep miqtë”, do të zbulonte Saimir Braho, ndërsa ka treguar se si ra dakord më pas me Gocin për këtë koncert.

Saimir Braho dhe Altin Goci, vokalistët e grupit "Ritfolk"


Pas Tiranës, “Ritfolk” do të mbajë koncerte edhe në qytete të tjera të vendit, për të ngjallur atë epokë të viteve ’90, ku të gjithë besonin tek ëndrra europiane, tek muzika rrok që çlironte shpirtrat dhe mendjet dhe pasioni e dëshira e pastër, që sundonte mbi interesat dhe fitimet financiare. Ishte koha e kasetave, lapsat që mblidhnin rrotullën e shiritave, ishte revolucioni kulturor i shqiptarëve, që nisën t’i krijonin edhe legjendat e tyre të subkulturës, të thirrjes për ndryshim.

https://www.youtube.com/watch?v=URUmGbVMFHo

E mes gjithë atyre grupeve rrok, djemve me flokë të gjatë, xhupa lëkure e xhinse të zbardhura, tingujve të baterisë dhe kitarave elektrike të siguruara me aq vështirësi atokohë të varfra, patëm edhe Beatles-at shqiptarë, që në kohën e lirisë që erdhi si valë e papërpunuar, u ngjitën në skenë me një rikthim në të shkuarën, duke ngjallur nostalgjinë e brezit të prindërve të tyre, që aq deshën të këndonin si ata, por nuk mundën.
Thuajse tridhjetë vjet pas, vijnë të ringjallin nostalgjinë e kujt këndoi …
Ooo merrmë o fllad
e si një gjethe lëshomë ti larg
Ooo lërmë trishtim
më lër të endem drejt fatit tim…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë