Ngjarje

Flasin prindërit e Sabrinës, nëna: Ish-burri e vrau me bukë në gojë! Babai akuzon sistemin e drejtësisë

Familjarët e Sabrina Bengajt, 23-vjeçares e cila u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti mbrëmjen e së premtes në Zhupan të Fierit, akuzojnë prokurorinë dhe gjykatën për lënien të lirë të autorit të vrasjes. Prindërit e viktimës, tregojnë se autori, pasi ka hyrë në shtëpi, i ka drejtuar armën kunatës së viktimës. Ish-bashkëshortja i ka thënë se nuk ka punë me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe e ka ftuar të bisedojnë.

Nëna e Sabrinës tregon momentet para vrasjes

Mamaja e Sabrina Bengajt tregon momentin e tmerrit që përjetoi kur në shtëpinë e saj hyri ish-dhëndri. “Po vinte ora 22:20. Çdo natë unë dilja e prisja se kisha frikë. Kur isha ulur tek karrigia e pashë. Ishte hera e dytë që vinte me kallash. Vajza po hante bukë, - rrëfen ajo. - E pashë që po hapte derën dhe iu afrova dhe e mora me të mirë. ‘Të lutem ik, se 10 muaj i ke bërë burg, ik pa të parë njeri’, i thashë. Ai më tha, ‘ku është ajo’ për vajzën. Doli me pjatë në dorë vajza I vuri automatikun. Në moment doli dhe nusja e djalit”.

Sipas gruas, ai kërkonte djalin e vet. “Sabrina i tha: ‘Hajde se nuk ke punë me ata, ke punë me mua. Në këtë moment vajza u kthye prapa dhe ai e qëlloi me automatik”.

Babai akuzon të gjithë sistemin e drejtësisë

Ndërkohë, babai i vajzës 23 vjeçe, Partizan Bengaj,  kërkon drejtësi. Ai ka akuzuar Prokurorinë, gjyqtarin Piro Sota dhe ish-ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj të cilët sipas tij duhet të përgjigjen për krimin e rëndë që i mori jetën Sabrinës.

"Unë e denoncoj publikisht në Prokurorinë e Shkallës së Lartë për mashtrim, atëherë policia e Fierit pse nuk kontrolloi shtëpinë time? E dyta, deklaruan që unë kisha ndërhyrë në Prokurori për ta çuar në burgun Zaharisë, - vijon ai. - Unë kërkoj një gjë, me gjithë këto prova, vjen merr peng shtëpinë time. Unë e denoncoj publikisht dhe zotin Piro Sota (gjyqtarin). Tani meqë e liruan dhe iku ime bijë të përgjigjen ata. Direkt akuzoj ish-ministren e Drejtësisë dhe Prokurorinë, ku ishin? E dyta, kush janë këta mjekë, këta sahanlëpirës që kanë lëshuar një deklaratë të tillë, që një i sëmurë shkon në Zahari dhe arrin të vijë sërish në shtëpi dhe të bëjë atë krim në shtëpinë time? I bëj thirrje të gjithëve në varje, ai dhe gjithë familja e tij të jenë të burg se e mbështeste", akuzon babai.

Elton Meta, autori i vrasjes së ish-bashkëshortes së tij dhe Sabrina Bengaj

Vajza kishte sot 23-vjetorin e lindjes

Partizan Bengaj shprehet se sot e bija do festonte 23-vjetorin e lindjes, por jeta e saj u ndërpre në mes të premten (10 shtator) në mbrëmje në shtëpinë e tij.

Ai tregon se pas martesës gjërat mes çiftit po shkonin mirë ndërkohë që pas lindjes së fëmijës, dhëndri nisi të tradhtonte të bijën.

Në momentin e krimit, autori Elton Metaj kishte parë që nuk kishte burra në shtëpi dhe kishte shkuar për ta vrarë ish-bashkëshorten.

“Kishte ruajtur që nuk kisha asnjë nga djemtë në shtëpi. Ky i bie të jetë një mi, ata minjtë që kalojnë në tuba. Unë e akuzoj direkt Pirro Sotaj të japë llogari. E njoh edhe personalisht, edhe prokurorin edhe këta. Unë kërkoj dënim në litar, lëre të drejtën e njeriut, nuk ka më të drejta me këta lloj fundërrinash", - deklaron ai.

Sipas Partizan Bengajt, e gjithë  familja e autorit të vrasjes duhet të jetë në burg, pasi ata e kanë mbështetur djalin e tyre.

"E gjithë familja e tij duhet të jetë në burg. Nëna e tij është një plehrë. I thoshte të birit tradhtoje, bëje. Sot vajza ime bënte 23-vjeçe. Dje u bëra gjysh. Vajza ishte me nusen e djalit në momentin e krimit. Ajo ishte shtatzënë dhe vajza i doli përpara që mos e kapte plumbi", shtoi babai i viktimës.

Si e fitoi lirinë ish-bashkëshorti-vrasës

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në Zhupan të Fierit. Ndërkohë, në 20 shtator të vitit të shkuar për më shumë se 5 orë Elton Meta në kërcënimin e armës mbajti peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre, duke qëlluar dy herë në ajër.

Ai u neutralizua nga Renea dhe u dorëzua. 31-vjecari u prangos dhe ndaj tij u ngritën 3 akuza, dhunë në familje, kundërshtim të forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Dhe pse me akuza të rënda, Elton Metaj fitoi lirinë.

Prokurori Çlirim Sino i kërkoi gjyqtarit Piro Sota shtrim të tij në spitalin psikiatrik ku qëndroi disa muaj. I njëjti gjyqtar më pas ndryshoi masën e sigurisë nga shtrim i detyruar në spital, në kurim ambulator në shtëpi. Në fund të muajit korrik ai la spitalin dhe shkoi në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë