Ana e errët

Ekspertizat e dyshimta/ Vrasësi i gruas në Fier i sëmurë mendor, por si u lirua nga Burgu i Zaharisë? ILD nis hetimet

Vrasja e Sabrina Bengës nga ish-bashkëshorti që kishte veç dy muaj që kishte lënë burgun, hedh rishtazi dyshime mbi sistemin e drejtësisë. Një vit më parë Elton Metaj, 31 vjec, u arrestua me bujë, por burime të Gazetës “Si” pranojnë se ndonëse u prangos për armë mbajtje, kundërshtim të policisë dhe dhunë në familje, akuzat ndaj tij u pushuan gjatë gjykimit nga Gjykata e Fierit duke qenë se të afërmit e tij depozituan një seri shkresash që vërtetonin problemet e tij mendore. E për rrjedhojë, shkresat e konfirmuara nga mjekësia ligjore e deklaruan atë të paaftë mendërisht. Por për procedurë që nuk shpjegohet mbi c’baza ligjore, më pas 31 vjecari doli nga ky burg me dënim, me kushtin që të mos kryente krim, të mos shoqërohej me persona me probleme me ligjin dhe të mos mbante armë. Dënimi me kusht u dha nga i njëjti gjyqtar, i cili pak muaj më parë liroi një të arrestuar për armëmbjatje duke u kthyer në mollë sherri mes Ministrisë së Brendshme dhe Gjykatës.
Por shkresat paraprake tregojnë se vrasësi i 23-vjecares, Elton Metaj duhej të kurohej në një burg ku mbahen 236 autorë krimesh që për shkak të problemeve mendore, duhet të mbaheshin në një spital burg dhe jo sic po mbahen në Burgun e Zaharisë. Se si është liruar Elton Metaj mbas konsideratës si i çekulibruar mendërisht, asnjë insitucion nuk jep përgjigje, pavarësisht se Gazeta “Si” kontaktoi me zyrtarë të lartë të akuzës dhe të Gjykatës.
Arrestimi i Metajt një vit më parë u bë publik nga policia, e cila tregoi se si i riu nga fshati Zhupan në Fier kërcënoi me automatik dhe mbajti peng ish-bashkëshorten që ishte kthyer te banesa e prindërve duke mos e duruar më dhunën ndaj saj dhe fëmijës. Por i riu nuk qëndroi as një vit i izoluar, teksa ish-bashkëshortja vijonte jetën në shtëpinë e vajzërisë, e bindur se kishte shpëtuar njëherë e mirë nga dhuna
Se cili ka qenë shtegu nëpërmjet të cilit ai ka fituar lirinë, pritet të zbardhet nga inspektimet ndaj vendimit të gjykatës dhe qëndrimit të prokurorit të çështjes. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë në rrugë jo zyrtare për Gazetën “Si” tha se do të nisë inspektimet e menjëhershme. Sido që të jetë, edhe ky krim në familje nuk ka për t’i dhënë zgjidhje as kësaj radhe problemit të të sëmurëve mendorë që mbahen në Zahari.
Një premtim i pambajtur, gjyqtarët i çojnë në Zahari duke e ditur se nuk është spital
Megjithë kushtet çnjerëzore të pranuara zyrtarisht në Burgun e Zaharisë për shtetasit që konsiderohen me probleme mendore mbas kryerjes së një krimi, gjykatat vendosin shtrim të detyruar në një spital psikiatrik. Por teksa akuzat ndaj tyre pushohen, gjykata dhe prokurori ka detyrimin të kontrollojë ambjentin ku dërgohen këta shtetas që botërisht dhe hapur fare nuk dërgohen në spital psikiatrik por në një burg ku mungojnë mjekët e specializuar dhe kushtet. Kjo situatë ka sjellë ndër vite reagime nga ndërkombëtarët, por çështja vijon pa zgjidhje. E fundit ishte ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj që u zotua se kjo qeveri do ta mbyllte përfundimisht Burgun e Zaharisë dhe se në këtë mënyrë do t’i jepte zgjidhje një prej problemeve më të mprehta në 20 viteve të fundit mbi mbajtjen e shtetasve me probleme mendore në një burg. Por një institucion i posaçëm nuk është ngritur ende megjithëse Gjonaj do të deklaronte në vjeshtën e 2020 se Zaharia në 2021 do të mbyllej. Funksionimi i këtij burgu për të sëmurët mendorë lë shteg për abuzime dhe për devijim të dënimit të mjaft personave problematikë me gjendjen mendore dhe që më pas i shpëtojnë drejtësisë.
Problem përndjekësit
Me hyrjen në fuqi si vepër penale të përndjekjes, u vu re një shifër e lartë meshkujsh që përfunduan nën akuzë për përndjekje. Vetëm për dy vjet në të gjithë vendin, sipas burimeve të Gazetës “Si”, u gjykuan 289 shtetas burra si përndjekës kryesisht të ish-partnereve. Burime të Gazetës detajojnë se mjaft burrave u lehtësohet pozita para drejtësisë duke i cilësuar si përndjekës, kur realisht ndaj tyre duhej të ngrihej akuza e kanosjes për jetën apo e dhunës për shkak të marrëdhënieve familjare. “Edhe ky rast në Fier që del në dritë mbasi i akuzuari i ka deklaroi vajzës së re se do ta vriste atë dhe veten, tregon se gjykatat mbajnë qëndrim lehtësues dhe nuk vendosin akuzën e duhur“, pohoi një burim i Gazetës ‘Si’.

Burgu i Zaharisë

Burgu famëkeq
Prej vitesh organizma ndërkombëtare dhe vendas kanq kërkuar mbylljen e Burgut të Zaharisë. Nga inspektimet e para dy vjetëve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, rezultonte se pesë të burgosur jetonin në 12 metra katrorë; në total ishin 284 persona të dënuar në një burg me kapacitet për 196 persona. Dhe për të gjithë këta kishte vetëm 2 mjekë psikiatër dhe një farmacist me kohë të pjesshme.
Burgu i Zaharisë, pranë Krujës, ka qenë në mënyrë të vazhdueshme nën monitorim nga ky komitet.
“Vëzhguesit e KShH-së konstatuan se në këtë IEVP janë vendosur 293 shtretër dhe secilit prej të dënuarve/pacientëve i është siguruar një shtrat i veçantë. Megjithatë rezulton se kapacitetet akomoduese të dhomave janë të vogla në raport me numrin e shtetasve të akomoduar në to,” shkroi KShH në një letër publike drejtuar institucioneve shtetërore, ndërsa kërkonte mbylljen përfundimtare të këtij burgu të ndërtuar në kohën e diktaturës.
“U konstatuan dhoma me përmasa 4x3m, në të cilat akomodoheshin pesë të dënuar/pacientë,” vëren KShH duke rikujtuar se standardet minimale të pranueshme nga Këshilli i Europës janë 6 metra katrorë për pacient në dhomat teke dhe 4 m2 për pacient në dhomat dyshe. KShH evidenton se disproporcionaliteti ndërmjet organikës në stafin psiko-social dhe mbipopullimit ekzistent në këtë institucion, ka pasjellë mbingarkesë në stafin aktual efektiv,” deklaronte asokohe KShH
.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë