Drejtësia

Vrau ish-bashkëshorten pas shpine, dosja e Elton Bengajt shkon në gjykatë

Gazeta Si - Ka shkuar për gjykim dosja ndaj Elton Bengaj (Meta), i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për vrasjen e 23-vjeçares Sabrina Bengaj në 10 tetor 2021.

Sipas prokurorisë, Bengaj ka shkuar në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes me një armë zjarri kallashnikov në dorë.

Pas kërkesës së Sabrinës për t’u sqaruar jashtë banesës, për të mos shqetësuar familjarët, ai e ka qëlluar disa herë me armë pas shpine.

Pas vrasjes, ai është larguar me një motor me shpejtësi, ku është kapur më pas nga policia pas kërkesës së të atit për t’u dorëzuar.

Më herët, Gjykata e Fierit kishte nxjerrë jë urdhër-mbrojtjeje për Sabrinën pas kërcënimeve nga ish-bashkshorti.

Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kishin lidhur martesë në vitin 2017, nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre.

Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti.

Më pas Sabrina, së bashku me vajzën e mitur, është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier.

Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Eltoni Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës.

Ai e kishte kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020. 

Një muaj më pas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kërkesës së paditëses Sabrina Bengaj, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për paditësen, me efekt shtirje deri më datë 14.10.2021.

Gjykata urdhëroi Elton Bengajn të mos e cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë direkt ose tërthorazi, si dhe të mos kryejë vepër penale të dhunës në familje ndaj paditëses Sabrina Bengaj.

Vrasja e Sabrina Bengës nga ish-bashkëshorti që kishte veç dy muaj që kishte lënë burgun, hodhi rishtazi dyshime mbi sistemin e drejtësisë.

Më shumë se një vit më parë, Elton Metaj u arrestua me bujë, por burime të Gazetës “Si” pranojnë se ndonëse u prangos për armë mbajtje, kundërshtim të policisë dhe dhunë në familje, akuzat ndaj tij u pushuan gjatë gjykimit nga Gjykata e Fierit, duke qenë se të afërmit e tij depozituan një seri shkresash që vërtetonin problemet e tij mendore. E për rrjedhojë, shkresat e konfirmuara nga mjekësia ligjore e deklaruan atë të paaftë mendërisht. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë