Ngjarje

Gruaja në Fier nuk u vetëvra, por u godit me thikë nga bashkëshorti për xhelozi

Gazeta Si - Valdete Mamaj nuk është vetëvrarë, por u ekzekutua nga bashkëshorti i saj, Petrit Mamaj për motive xhelozie. Ngjarja, e cila u dyshua si një vetëvrasje në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen "Sheq i Madh" në Fier, ka marrë një kthesë të fortë pas disa orësh.

Në dëshminë e tij të parë, 56-vjeçari e kishte orientuar hetimin drejt vetëvrasjes, ç'ka u konfirmua edhe në njoftimin paraprak të policisë së Fierit për ngjarjen. Por ishin plagët në trupin e 50-vjeçares që e tradhtuan.

Ishte bashkëshorti i 50-vjeçares ai që raportoi ngjarjen në polici, duke deklaruar se e gjeti gruan të pajetë. Por pas dyshimeve të oficerëve të policisë dhe pëarballjes me provat, ai ka pranuar krimin e rëndë. Grupi hetimor ngriti dyshimet për mënyrën sesi viktima kishte marrë plagët vdekjeprurëse nga goditja me thikë.

Policia e ka gjetur 50-vjecaren të pa jetë afër krevatit, ndërsa krimi dyshohet se ka ndodhur në orën 06:30 të mëngjesit. Fillimisht Petrit Mamaj njoftoi vëllain e tij punonjës policie, se gruaja e tij kishte kryer vetëvrasje, por pas ekspertizës është zbuluar se ajo ishte vrarë dhe goditjen fatale e kishte marrë në zemër.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se burri e ka qëlluar edhe disa herë të tjera bashkëshorten e tij. Ai ka pranuar në polici se e ka kryer ai krimin për shkak të xhelozisë pa dhënë shumë detaje. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilën dyshohet se ai ka kryer vrasjen.

Pas dokumentimit të ngjarjes, Petrit Mamaj u vu në pranga dhe ndaj tij u ngrit akuza “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Çifti Mamaj kishte dy fëmijë, të cilët jetojnë në Gjermani. Njëri prej tyre ishte larguar pikërisht një ditë më parë drejt Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë