Ka ndodhur

Vrasja e paralajmëruar në Fier/ Burri vret ish-bashkëshorten me automatik, kapet pas 3 orësh në pyll

Elton Metaj, 31-vjeçari nga Fieri që vrau mbrëmjen e së premtes ish-bashkëshorten e tij 25-vjeçare është vënë në pranga nga policia.

Autoritetet kanë njoftuar këtë të shtunë se arrestimi i të riut u bë pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë së lartë që kishte sepse ishte i armatosur.

Metaj ishte përpjekur që të fshihej në një zonë të pyllëzuar në Peshtan, por arratia i zgjati shumë pak. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. 31-vjeçari Metaj ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, kundërshtim i forcave të policisë dhe dhunë në familje.

Elton Metaj shkoi mbrëmjen e së premtes në shtëpinë e ish-vjehrrit të tij në Zhupan të Fierit. Aty qëlloi me automatik ish-gruan Sabina Benga, e cila ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Siç ka bërë me dije vëllai i viktimës, e reja është qëlluar kur po hante bukë.

Vëllai i viktimës, Armando Bengaj thotë se Eltoni kishte kërcënuar edhe vetë atë për ta vrarë, ndërsa fajin ia drejton gjykatësve dhe prokurorëve që nxorën nga burgu njerëz të tillë. 

Që çifti, tashmë i dovorcuar, kishin probleme, prindërit e Elton Metajt e kane pohuar edhe nje vit me pare, pasi djali kërkonte të shihte vajzën e tij të vogël, që në atë kohë, ende pa u ndarë, 23-vjeçarja e mori me vete dhe u largua te prindërit. Ndërsa nuk mungonin dhe akuzat për tradhti, duke thënë se djali e kishte kapur të renë të bisedonte me një tjetër në telefon.

Nëna e Elton Metajt është shprehur se nuk ka pasur dijeni për aktin që mund të kryente djali i saj, madje është shprehur e habitur duke thënë se ata duheshin.

Ajo thotë se dhimbja për të është madhe, pasi e ka rritur vetë Sabrinën. Ajo thotë se i druhet një hakmarrjeje.

Në 8 vite martesë çifti kishin një vajzë të mitur për hir të së cilës viktima ka duruar dhunën psikologjike e fizike të bashkëshortit të saj.

Sipas autoriteteve, Elton Metaj, ka qenë arrestuar edhe më herët për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë