Futboll

Flamurtari zyrtarizon dy mbrojtës, ofertë edhe Ekubanit

Trajneri Ilri Daja, i cili u pa i shqetësuar për mbrojtjen e skuadrës së tij gjatë ndeshjes së javës së parë të kampionatit me Teutën, tani mund të qetësohet. Flamurtari ka bërë dy afrime të rëndësishme në mbrojtje dhe e ka “blinduar” këtë repart. Njëri është një emër i njohur i kampionatit shqiptar, Albi Alla, kurse tjetri është një mbrojtës rumun me përvojë, që ka luajtur dhe në Qipro dhe Izrael. Merkaoja vlonjate nuk është mbyllur ende, pasi drejtuesit e klubit kuqezi kanë kontaktuar edhe sulmuesin Kaleb Ekuban, i njohur nga të gjithë dy sezone më parë, kur veshi fanellën e Partizanit dhe ishte lideri i tij në sulm.

Klubi vlonjat ka zyrtarizuar Albi Allën dhe rumunin Kristian Sirgi të cilët kanë firmosur dhe kanë pozuar me fanellat e reja. Bashkë me Artim Pollozhanin, Franc Veliun dhe Fioralb Delijan ata do të jenë 5 mbrojtësit e qendrës në dispozicion të trajnerit Ilir Daja. Alla ka luajtur së fundi me Kukësin dhe në kampionatin shqiptar ka veshur edhe fanellën e Bylisit, ndërkohë që ka luajtur edhe në Greqi. Sirgi, 31 vjeç, vjen nga ekipi Gaz Metan në Rumani, ku ka luajtur edhe me Otelul Galatin, ndërkohë që ka pasur edhe dy përvoja në Qipro dhe në Izrael. Pollozhani, apo edhe blerja e fundit Sirgi mund të luajnë edhe në mesfushë, përpara mbrojtjes. Stafi vlonjat e “fle mendjen” tashmë për prapavijën, që duket e kompletuar. Mesfusha gjithashtu është një repart i kompletuar te Flamurtari, me lojtarë si Useini, Batha, Musta, Hyseni, Mustafa e ndonjë tjetër.

Kristian Sirgi, mbrojtësi rumun i Flamurtarit

Afrimi i mundshëm i sulmuesit Kaleb Ekuban do të ishte “qershia mbi tortë” e merkatos së Flamurtarit. Aktualisht, për sulmin trajneri Daja ka të gatshëm kapitenin Tomisllav Bushiç dhe argjentinasin Agustin Torasa, ndërsa brazilliani Kale është bërë çështje, pasi Kukësi nuk dëshiron ta lërë të lirë dhe ende nuk është sqaruar zyrtarisht e ardhmja e këtij futbollisti. Prandaj dhe Flamurtarit i duhet një sulmues me peshë dhe drejtuesit kanë kontaktuar ish-lojtarin e Partizanit. Ekuban, 24 vjeç, e njeh mjaft mirë futbollin shqiptar dhe vlonjatëve do t’u bënte punë. Pas largimit nga Partizani, sulmuesi italo-ganez u aktivizua me Lidsin neë Angli, por pa mundur të lërë gjurmë dhe tani është në kërkim të një ekipi të ri.

Kaleb Ekuban, kur luante me Partizanin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë