Flamurtari nuk ka arritur të shfrytëzojë faktorin fushë për të qenë në linjën e pretendentëve për titull. Skuadra vlonjate është ndalur në barazim 0-0 nga Luftëtari në Vlorë, ku këtë sezon po has shumë vështirësi, ndoshta për shkak të presionit që futbollistët ndjejnë nga pritshmëritë e tifozëve.
Një barazim, që u vlen gjirokastritëve në luftën e tyre për të qëndruar në Superiore, ndërsa vlonjatët me pretendime kanë humbur dy pikë shumë të rëndësishme. Ndeshja ka qenë poshtë nivelit mesatar dhe është ndjekur nga një numër i paktë tifozësh. Rastet për shënim në këtë ndeshje kanë qenë me "pikatore" dhe kanë ardhur në minutat e fundit, kur Flamurtari edhe mund të ishte ndëshkuar nga Luftëtari. Në fillim të ndeshjes, te Flamurtari kanë pasur pretendime për një penallti, pasi topi është prekur me dorë nga një lojtar kundërshtar në vijën fatale, por arbitri Ferataj ka vazhduar lojën. Flamurtari vuajti mungesën e sulmuesit Danilo Alvesh, i cili ishte i dëmtuar. Me këtë barazim, vlonjatët ngjiten në kuotën e 19 pikëve.
Pas barazimit dëshpërues, trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, ka pohuar se ekipi shfaqi probleme dhe nuk meritoi më shumë se barazimi: "Më shqetëson loja e ekipit, sepse kundërshtari na dominoi në pjesën e parë. Nuk ishte për shkak të lodhjes. Kemi shumë punë për të bërë në ndeshjet në Vlorë, ku jemi ndryshe nga ndeshjet në transfertë. Manovrën e bën trajneri dhe marr përgjegjësitë e mia. Kemi problem vazhdimësinë në lojë dhe mendoj se nuk meritonim më shumë se barazimi në këtë ndeshje. Flamurtari nuk ka qëndrueshmëri, ndoshta nga pritshmëria e madhe e tifozëve", - tha mes të tjerash trajneri Daja.
Flamurtari luan në Korçë në fundjavë, një sfidë speciale për trajnerin Ilir Daja, i cili kthehet në qytetin ku fitoi gjithçka sezonin e kaluar. Java e 13-të e Superiores luhet pas pak ditësh dhe Skënderbeu-Flamurtari është një nga çiftet më interesante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.