Futboll

Flamurtari thyen një tabu, Bregu udhëheq Skënderbeun

Më në fund, Flamurtari ka arritur të mposhtë Kukësin, “macen e zezë” të sezoneve të fundit, me rezultatin 1-0. Skuadra vlonjate e ka pasur shumë të vështirë të fitonte ndaj Kukësit edhe në fushën e vet, ndërsa në transfertë ka pasur vështirësi edhe për të shënuar gol e jo më për të fituar. Thyhet një tabu nga skuadra bregdetare. Ndeshja u luajt në një terren shumë të keq, ku tapeti i stadiumit “Flamurtari” ishte prishur nga temperaturat e larta.

Goli vendimtar është shënuar nga një ish-lojtar i Kukësit, Albi Alla, 5 minuta para fundit të pjesës së parë. Mbrojtësi i qendrës, i cili  vetëm pak ditë më parë u bashkua me vlonjatët, duke ardhur pikërisht nga Kukësi, devijoi saktë me kokë një krosim nga e majta në zonë. Skuadra e trajnerit Ilir Daja ngjitet në kuotën 4 pikëve pas dy javëve të para të kampionatit, duke treguar se është pretendente reale për titullin. Trajneri kryeqytetas, pas ndeshjes theksoi: “Janë tri pikë shumë të rëndësishme për Flamurtarin në këtë fillim të kampionatit, pasi i kemi ndaj një rivali direkt.”

Flamurtari feston në dhomat e zhveshjes fitoren ndaj Kukësit

Kukësi ndërkohë duket në telashe. Atmosfera është shumë e trazuar te veriorët, me shumë çështje lojtarësh të hapura, çka reflektohet edhe në fushën e blertë. Një pikë në dy ndeshje flet qartë për problematikën e Kukësit, ku ditët e fundit është folur për pezullime lojtarësh dhe gjoba. Pas kësaj humbjeje duket se lëkundet edhe stoli i Armando Cungut, edhe pse duhet pranuar se është shpejt për të marrë masa. Trajneri shkodran tha se skuadra e tij dominoi ndaj Flamurtarit dhe se gaboi vetëm në episodin e golit të pësuar.

Vetëm pak orë para ndeshjes së Vlorës, Skënderbeu kampion mundi Kastriotin në fushën asnjanëse të Fushë-Krujës, me rezultatin 0-3. Dejvi Bregu është lideri i ri i skuadrës korçare. Në këto dy ndeshje ai ka qenë vendimtar: ndaj Partizanit me penalltinë e fituar, ndërsa ndaj Kastriotit shënoi dy gola. Kampionët në fuqi, edhe pse kanë një organikë më të varfër se vitet e fundit, sërish janë në gjendje të rivalizojnë për titullin. Trajneri Shehi përgëzoi ekipin pas ndeshjes dhe u shpreh se pret të tjerë lojtarë që të përforcojnë grupin.

Dejvi Bregu shënon në portën e Kastrotit

Skënderbeu është i vetmi ekip që ka pikë të plota pas dy javëve të para, 6 pikë. Pas tij vijnë Flamurtari dhe Laçi me nga 4 pikë, ndërsa Kukësi dhe Tirana kanë bërë një start shumë të dobët, me 1 pikë në 2 ndeshje. Luftëtari është i vetmi ekip që nuk ka marrë asnjë pikë në këto dy javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë