Futboll

Flamurtari i tregon muskujt Partizanit, një asist për Skënderbeun

Fatjon Rupi - Java e 14-të e Superiores nisi me ndeshjen e saj më të rëndësishme, Flamurtari-Partizani. Në stadiumin e Vlorës ka triumfuar skuadra e trajnerit Ilir Daja, me një gol të shënuar nga kapiteni Bushiç që në minutën e 9-të. Ishte një ndeshje mjaft e luftuar, me dyluftime të ashpra, raste për gol, polemika dhe entuziazëm në shkallët e stadiumit. Të kuqtë janë mundur 1-0, por i kanë pasur mundësitë të paktën për një pikë, pasi krijuan volum të madh loje, por pa mundur ta dërgonin topin në rrjetë.

Me brazilianin Kale më në fund të gatshëm, pas marrëveshjes me Kukësin, Flamurtari ishte më i rrezikshëm në sulm. Dhe pikërisht nga një krosim i bukur i tij erdhi goli i vetëm i ndeshjes, i shënuar me kokë nga kapiteni kroat i vlonjatëve, që i shpëtoi mbulimit të Atandës. Një moment tensioni arbitri Jorgji e zgjidhi me tre kartonë të verdhë. Partizani u mundua të reagonte, por Koliçi ishte shumë i kujdesshëm dhe shmangu çdo rrezik. Kale ishte problematik për të kuqtë, ashtu si dhe Torasa. Partizani shtyu më shumë përpara në pjesën e dytë, megjithatë nuk arriti të konkludonte. Mustafa mund të shënonte golin e dytë për Flamurtarin, pasi porta e kuqe ishte e boshatisuar, pas daljes së gabuar të Xhikës, por mesfushori gjuajti jashtë. Partizani pretendoi për penallti, pas një prekje me dorë të topit në zonë nga Pollozhani, por Jorgji vazhdoi lojën.

Flamurtari feston golin e Bushiç

Vlonjatët shtojnë 3 pikë në tabelën e renditjes, duke shkuar në kuotën 22, aq sa kanë edhe Teuta e Laçi. Zona europiane është aty për Flamurtarin, ndërsa Partizani mbetet në krye edhe pas kësaj humbjeje. Të kuqtë kanë 31 pikë dhe shpresojnë që Skënderbeu të mos fitojë ndaj Tiranës në kryeqytet. Fitorja e Flamurtarit ishte edhe një “asist” për korçarët, të cilët ndodhen 2 pikë pas Partizanit dhe me një fitore të mundshme në “Selman Stërmasi”, mund të rimarrin kreun. Por do ta kenë shumë të vështirë, pasi Tirana e Memës nuk ka çfarë humb dhe do të japë gjithçka për të larguar krizën para derbit me Partizanin në javën e 15-të.

Në stolin e Kamzës debuton këtë javë trajneri Ernest Gjoka, i cili do të ndeshet me Kukësin, ekipin që e shpalli kampion dy sezone më parë. Parashikohet një ndeshje mjaft interesante, pasi ngacmimet kanë nisur prej ditësh nga të dy klubet. Teuta pret Luftëtarin në Durrës, kurse Laçi ndeshet me Kastriotin e Stavri Nicës, një tjetër trajner që përballet me të shkuarën e tij.  

    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë