Para

Fitimi i sektorit bankar për katërmujorin u rikthehet niveleve të para krizës

Sektori bankar ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin neto financiar në katërmujorin e parë të këtij viti duke kaluar edhe nivelet para pandemike.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi në fund të prillit arriti në rreth 6.6 miliardë lekë, nga 2.76 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u rritur me 138%.

Ky është fitimi më i lartë që sektori bankar raporton për këtë periudhë të vitit që nga viti 2017.

Kjo rritje ka ardhur pas tkurrjes së rezultatit financiar në katërmujorin 2020, me fitimet që u përgjysmuan, teksa sektori bankar filloi të ndjente pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia, që nisi në mesin e marsit të vitit të kaluar.

Raporti i kredive me probleme ka ndjekur një tendencë rënieje të lehtë në muajt e parë të këtij viti.

Të ardhurat neto nga interesat janë në rritje, falë zgjerimit të bazë së aseteve, që është shprehur në rritje të portofolit të kredisë dhe të investimeve në tituj. Në krahun tjetër, shpenzimet për interesa janë në rënie, fenomen ky i lidhur sidomos me zhvendosjen e kursimeve kryesisht në depozita pa afat dhe llogari rrjedhëse, ku interesat që paguajnë bankat janë edhe më të ulëta.

Në fund të tremujorit të parë të vitit, llogaritë dhe depozitat pa afat përbënin më shumë se 60% të depozitave, nga 55% që përbënin një vit më parë.

Kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të muajit prill ishte në nivelin 11.98%, nga 5.28% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Niveli i kthimit mesatar nga kapitali njëkohësisht ka arritur nivelin më të lartë të periudhës së pandemisë. Edhe kthimi i mesatarizuar nga aktivet u përmirësua në 1.28%, nga 0.62% që kishte qenë një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë