Muzike

Finalja e Eurovizion, Albina dhe familja sonte të 10-ët në garë

Nga Gazeta Si - Edicioni i 67-të i Festivalit Europian të Këngës kulmon sonte (13 maj).

Është nata më e madhe e Eurovizionit ku një nga konkurrentët do të kurorëzohet si fitues. Janë 26 këngë në garë, mes të cilave edhe “Duje” e Albina dhe familjes Kelmendi.

Përfaqësuesja e Shqipërisë sonte do të këndojë e 10-ta në radhë, ndërsa pritshmëritë janë të larta, pas performancës elektrizuese në natën e dytë gjysmëfinale.

Albina Kelmendi u kualifikua për në finalen e Eurovizionit mbrëmjen e së enjtes, ku Shqipëria kaloi si shteti i parë nga nata e dytë gjysmëfinale.

Ata dhuruan shumë energji dhe adrenalinë me këngën e tyre “Duje”, e cila u paraqit në shqip duke theksuar edhe më shumë identitetin dhe traditën shqiptare.

Kënga “Duje” është pritur mjaft mirë edhe nga publiku ndërkombëtar.

Në Instagram, TikTok apo Youtube postimet për Shqipërinë arritën miliona klikime duke kryesuar.

Tekstshkruesja e këngës “Duje”, Eriona Rushiti, do të shprehej për Gazetën “Si” se është vlerësim i madh për ne që kënga nuk është votuar vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt.

“Frika ishte se sivjet do të votonte vetëm publiku. Duke mos pasur ndihmë jurinë në fillim menduam se do e kemi të vështirë, duke menduar dhe numrin e popullsisë që kemi ne, që është i vogël, por mesa duket, kënga nuk është pëlqyer vetëm nga shqiptarët, por edhe nga shumë të huaj. Ishte një arritje shumë e madhe për ne”, do të shprehej Rushiti për Gazetën “Si”.

Shtetet e tjera që performuan në natën e dytë gjysmëfinale dhe arritën të shkojnë në finale janë Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

Në finale shtete të tjera të kualifikuara, përtej pesëshes së madhe (Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Britani e Madhe) si edhe fitueses së vitit të shkuar, Ukrainës, kanë qenë edhe 10 shtete të tjera nga gjysmëfinalja e parë.

Ato janë Finlanda, Portugalia, Serbia, Suedia, Kroacia, Republika çeke, Izraeli, Moldavia dhe Norvegjia.

Favoritë këtë vit ndërkohë, shihen dy shtet nordike, Suedia dhe Finlanda, të cilët përfaqësohen nga fituesja e Eurovision në vitin 2012, Loreen, me këngën “Tattoo”, si edhe reperi ekstravagant Kaarija, me solon e tij “Cha Cha Cha”.

Festivali i këtij viti mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pamundësisë për ta organizuar në Ukrainë, e cila fitoi në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë