Taksa

Fillon faza III e fiskalizimit. Financat thirrje tatimpaguesve që të bëhen pjesë e procesit

Nga 1 shtatori ka nisur zbatimi i fazës së tretë dhe të fundit të procesit të fiskalizimit ku do të përfshihen bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë me konsumatorin.

Tatimpaguesit kanë mundësi për të fiskalizuar faturat e tyre përmes përdorimit të platformës Self-Care ose implementimit të një zgjidhje softwarike. Subjektet që lëshojnë fatura për transaksionet me para në dorë, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e Fiskalizimit duke përdorur portalin Self-Care pa pagese, nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:

-Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar.

-Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtësuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

- Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.

- Kanë statusin ligjor “Person Fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.

Kur një nga kriteret e mësipërme nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, ata duhet të zbatojnë procedurën e Fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuar, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligj.

Faza e tretë konsiderohet nga kontabilistët si më delikatja për t’u zbatuar për shkak të numrit të lartë të sipërmarrjeve që kanë detyrimin të fiskalizohen. Pas 1 shtatorit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka njoftuar se nuk do të pranojë dokumentacionin tatimor ekzistues.

Afati i përdorimit të tij ishte deri më 31 gusht 2021.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, janë 23,345 biznese të fiskalizuara dhe 21,9 mln fatura të fiskalizuara që prej 1 janarit të këtij viti.

 Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me parë në dorë në total janë 15,993 dhe tatimpagues që kanë lëshuar fatura pa para në dorë janë 15,403. Nga të dhënat rezulton se numri i faturave me para në dorë është 20,6 mln dhe i faturave të fiskalizuara pa para në dorë është 1,3 mln.

DPT njoftoi se çdo tatimpagues prej datës 1 shtator do të ketë mbështetjen e plotë të administratës tatimore ku punonjës të trajnuar të saj do të ofrojnë ndihmën e tyre në terren për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e fiskalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë