Mendim

Filloi fushata e analfabetit politik

Nga Meri Lika - Analfabeti më i keq

është analfabeti politik.

Ai nuk dëgjon, nuk flet,

as nuk merr pjesë në ngjarje politike.

Nuk e di se kostoja e jetesës,

çmimi i bukës, peshkut, miellit,

qirasë, këpucëve apo ilaçeve

varen nga vendimet e tij politike.

Analfabeti politik

është aq gomar, saqë është krenar

dhe fryn gjoksin duke thënë

se urren politikën.

Nuk e di, budallai, se,

nga injoranca e tij politike

lind prostituta,

i mituri i braktisur,

dhe më e keqja nga të gjithë banditët,

që janë politikanët hileqar,

mashtrues, të korruptuar dhe servilë

të shoqërive kombëtare

dhe shumëkombëshe.

Bertol Breht

“Analfabeti politik është analfabeti më i keq”

Kjo thënie nuk është e imja, do të doja shumë të ishte por, nuk është. Breht e ka shkruar 60 vjet më parë. Ndoshta më mirë duhet të thoja se, nuk do të kisha dëshirë të ishte imja, sepse pothuajse 60 vjet më vonë, trishtueshëm, mund ta përdorim këtë poezi për shoqërinë tonë, pa i ndryshuar asnjë presje.

Sipas gjykimit tim modest, më shumë se gjysma e votuesve nuk mendoj se kanë parë (nuk po them lexuar) një broshurë të vetme apo një program partie. Do të doja të mendoja se kjo gjë ka ndodhur për shkak se, ata e dinin programin që mbronte partia të cilën do të votonin, por në fakt nuk mendoj kështu. Mendoj se një pjesë prej tyre i shohin fushatat vetëm në televizion dhe me kaq mjaftohen për të votuar njërin krah apo tjetrin. Gjithashtu mendoj se shumica nuk shohin fare as televizor dhe as lexojnë shtypin por votojnë njërin krah apo tjetrin për arsye bindje, indoktrinimi apo më keq akoma për një thes miell. Zgjedhje e mençur!

E pastaj ne ankohemi se hajdutët na qeverisin, natyrisht. Dhe të korruptuarit. Dhe ata të përhershmit. Dua të them, të njëjtët për të cilët votojmë gjithmonë, sepse i shohim gjithmonë në televizion, sepse... ata janë rastësi të jetës! Janë ata që kanë mundësi të paguajnë televizionet (për të mos thënë i detyrojnë) për të qenë të vetmit që do të shfaqen në to gjatë periudhës elektorale (dhe kudo gjithashtu) dhe natyrisht, pa folur për komplotet e tyre mafioze, pozicionet e zgjedhura me kriminelë, duke e ditur mire se votuesi nuk do t’i marr vesh (se dreqi e mori media nuk i nxjerr, prokuroria është me ta, gjykatat gjithashtu). E marrtë dreqi këtë rrethi vicioz!

Nuk është rastësi që në politikë nuk ka profesionistë të talentuar por ka vetëm të diplomuar, shumica e të cilëve nuk e kanë ushtruar kurrë profesionin, madje kur pyeten se çfarë profesioni kanë përgjigjen se janë “politikanë” edhe pse studimet e tyre mund të kenë qenë për juridik, manaxhim biznesi apo dhe agronomi.

Nuk është faji i politikanëve për atë që ne jemi këtu ku jemi.

Pasi e provojnë rehatinë dhe përfitimet e karriges së politikës, ata bëhen aq profesionistë saqë gjithë investimi dhe energjia e tyre bëhet për të mos e lëshuar më atë karrige, me çfarëdo lloj çmimi (se mos e paguajnë vetë çmimin ata) .
“E io pago”
(Dhe unë paguaj) thoshte aktori i madh italian Toto. Po ne duhet të paguajmë sepse ne e kemi fajin. Shumica nuk shkon fare në votime sepse “të gjithë janë njësoj”, një pjesë nga ata që shkojnë, votojnë atë i cili, gjatë fushatës, ofendoi një gazetar që nuk i pëlqen, shumë votojnë pa e pasur idenë fare se kë po votojnë madje e thonë edhe me mburrje këtë.

Kështu që faleminderit të gjithëve, analfabetëve politikë, që na lejojnë prostitucionin, që fëmijët tanë shesin veten për një punë gjysmë skllavëruese, që jemi pa arsim publik, pa mjeksi, që na i kanë lënë prindërit tanë të moshuar në mëshirë të ilaçeve mbeturina, që i detyrojnë të vdesin pa dinjitet duke pritur ndihma nga fëmijët sepse vetë nuk munden të paguajnë as ilaçet. Faleminderit, o analfabeti politik, që i ke lënë ligjet në dorë të kriminelëve, që i bën reformat e punësimit sa më mbytëse dhe skllavëruese, që pjesa më e madhe nëse paguan një strehë mbi kokë e ka të pamundur që në të njëjtën kohë edhe të ushqehet. Faleminderit që lejon bankat të pasurohen ndërkohë që votuesi yt humbet përditë shtëpinë dhe dinjitetin. Faleminderit o analfabet politik, që je e tashmja dhe e ardhmja ime (do Zoti jo e fëmijës sim). Faleminderit që po na e pakëson popullsinë dhe aq më shumë të falëndroj që po na pakëson rininë.

Nëse do të vazhdojmë të falënderojmë analfabetin politik shumë shpejt do të kthehemi edhe vetë në të tillë.

Shpresoj që përditë e më shumë persona të fillojnë e të kuptojnë koston e lartë që vendi ynë është duke paguar për injorancën e funksionarëve politikë, të cilët janë emëruar apo zgjedhur nga njerëz të cilët besojnë se injoranca nuk është një problem, ose që thjesht nuk dinë të dallojnë një injorant nga dikush që nuk është i tillë (ironia ime kjo).

Kostoja që kemi paguar për këtë mungesë njohurish është e madhe. Por kjo kosto nuk është e vetmja që na imponon injoranca. Ka shumë njerëz që nuk e kanë kuptuar ende efektin që ka injoranca në zhvillimin e vendit: zvogëlimi i aftësisë për të përparuar që ka një vend pa njohuri, në një botë në të cilën dija është e para.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë