Lajme

Festat e fundvitit, Lleshaj: Policia nuk ka festë, por vetëm shërbim

Pas inspektimit që kreu në sallën operative në Drejtorisë së Policisë së Tiranës për masat e marra në kuadër të festave të fundvitit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një prononcim për mediat tha se policia do të jetë gjatë gjithë kohës në shërbim për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë festave të fundvitit.
“Dihet që fundi i vitit sjell një ngarkesë të shtuar për Policinë e Shtetit, ngarkesë të cilës policia i përgjigjet me angazhim të shtuar.
Aktualisht policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore; e para në drejtimin e menaxhimit të të gjithë fluksit të kalimit në pikat tona kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori”, u shpreh ministri Lleshaj.
Ndër të tjera, ministri vuri theksin edhe siguria rrugore dhe te mjetet piroteknike, nga të cilat mund të lindin incidente.
“Po kështu vëmendje e madhe i kushtohet çështjeve të trafikut, sigurisë rrugore në përgjithësi, luftës kundër krimit, mbajtja në monitorim e elementëve me precedentë kriminalë si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik.
Kryesisht dhe fokus i veçantë i Policisë është çështja e ruajtjes së festës nga zhurmat, nga incidentet, nga shpërthimet, nga fishekzjarret, nga kapsollat dhe gjithë elementët e tjerë piroteknikë, të cilët për vite të tëra kanë shqetësuar dhe kanë shkaktuar probleme të mëdha”, tha ai.
Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, ministri Lleshaj foli edhe për bilancin e policisë gjatë 2019, ndërsa shtoi se siguria publike është në nivelet më të mira historike.
“2019-ta ka qenë një vit i ngarkuar, e dini më mirë se sa unë ngarkesën që ka pasur Policia e Shtetit. Mund të themi që po i afrohemi mbylljes së vitit me tregues mjaft optimistë, sa i përket progresit të bërë. Për këtë do kemi kohë të flasim ndoshta në ditët e para të janarit, në kuadër të një analize, ku do t’i pasqyrojmë më mirë treguesit. Por di të them kaq, që gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike”, përfundoi ai.

https://www.facebook.com/lleshajsander/posts/490030838312916?__xts__[0]=68.ARBKaOFRbA2yZkBZCTb4NIKy4FKUd7c-O6fGbz7wUTn0OT8AK4oC-mMkKqVUvvv0yLzgbOHG0Jfm1U15SHikHhAv18w3rpbTUxwRHKxZb83-Vad7rj8E2e4pjk-tcFCQb5-7zrHpsdZvQ7rPCmkvLpN6a3_r4HzjuBfF3yhCV21XYdWaIp_Rr0Swaa5rwOTgSdVnjvNLv2GzWR_J7U5FuOUIDUNv_DLb6zAIInVlHjGdfuVq38KqJynYVcJW5CIAFltnUS-gxWl39BpnVJR6qC0XJzSlwZTLTiVAelTkOmtjo4n0OIF7Ev5uj6LWnBbanY5KVbEqs65qiQkn0MHD4oc&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë