Sport

Ferrari kuqezi me mision të qartë për sezonin e ri (video)

Për të gjithë fansat e makinave të shpejta dhe garave të Formula 1 ka një lajm të mirë. Makina e re Ferrari SF90 është prezantuar dhe do të jetë gati për të zbritur në pistë. Në Maranelo makina është prezantuar nga drejtuesit e Ferrarit dhe inxhinerët e kësaj skuderie. Makina e re do të quhet SF90 në nder 90-vjetorit të themelimit të kësaj skuderie si një mesazh për të arritur te vitet e arta të kësaj skuderie, aty ku ajo synon që të rikthehet këtë sezon të ri.

Sebastian Vetelit në drejtimin e makinës së re do të i bashkohet edhe i riu Leklerc, që do të kenë një synim të vetëm për të rrëzuar Mercedesin nga froni i kampionit.
I pari që ka folur për këtë makinë të re, ishte ai që do të drejtojë pilotët nga bokset, Matia Binoto. “Është një ditë e veçantë dhe jam krenar që jam pjesë e Ferrarit. Unë gjithmonë shikoj përpara dhe përpiqem të bëj më të mirën time në punë. “#TëjeshFerrari” është diçka unike, është pasioni, përcaktimi, integriteti, guximi, konkurrenca, përsosmëria. Unë mendoj se kjo është një krenari dhe një detyrë nga ana jonë që të arrijmë aty ku duhet. Mezi pres testimet e Barcelonës. Ende nuk jemi gati 100%, por ka shumë entuziazëm dhe optimizëm për këtë sezon të ri. Në vitin 2018 nuk arritëm disa rezultate pozitive. Unë mbaj mend fitoret e mëdha në Australi, Austri dhe Silverstone. Efikasitet, fuqi dhe ekip, kështu unë dua ta përshkruaj vitin 2019,”- ka thënë Binoto.

https://twitter.com/ScuderiaFerrari/status/1096353786711429120

Entuziast janë shprehur edhe të dy pilotët e kokëkuqes, Vetel dhe Leklerc. “Makina e re është rezultat i përpjekjeve të mëdha të bëra nga të gjithë brenda në skuderi. Sot ne festojmë përvjetorin tonë të 90-të të themelimit. Ne jemi ende të udhëhequr nga mendimi i Enzo Ferrarit,”- tha Vettel. Ndërsa Leklerc, i emocionuar tha se mezi po pret që të ngasë këtë makinë të re që i duket fantastike. I pranishëm në prezantimin e makinës së re të Ferrarit ishte edhe djali i Shumaker, Mick Shumaker.

Makina e re Ferrari si rrallë herë në sezonet e fundit, përveç ngjyrës së kuqe, që është simboli i kësaj skuderie, kishte edhe një prezencë shumë të madhe edhe të ngjyrës së zezë, çka e ka bërë këtë makinë që këtë herë të duket kuqezi. Sa i përket aerodinamikës te Ferrari i ri i 2019-ës nuk ka ndryshime radikale, por ato që janë më të dukshme është rimodelimi pjesës së përparme dhe motori është premtuar të jetë më potent.

https://www.youtube.com/watch?v=JyzoSXMGwSg

Sakaq më herët edhe skuderitë kanë prezantuar makinat e tyre. Kampionët në fuqi të Mercedesit e paraqitën makinën e tyre me një moto të thjeshtë, por shumë domethënëse, “model i ri, mision i vjetër”, çka do të thotë se këtë vit gjermanët janë pretendentët kryesorë për të triumfuar në Formula 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë