Biznes

Fermerja Dashuri: “Dua një arsye për të vazhduar”

Sabina Veizaj - Dashuri Xhahillari është e vetmja fermere femër në të gjithë Beratin.
Ajo ka 12 krerë lopë dhe ferma është jeta e saj. Dashuria kujdeset për fermën sëbashku me bashkëshortin e saj Gëzim Xhahillari.

Gëzim & Dashuri Xhahillari, fermerë

Dashurinë e vizitova të mërkurën në drekë në fermën e saj në fshatin Fushë-Peshtan të rrethit të Beratit.

Ferma ishte e pastër dhe e sistemuar. Në një pavijon qëndronin mullarët me tagji ku të dy bashkëshortët kishin sajuar një krevat për rojen, në pavijonin tjetër qëndronin lopët dhe viçat e mandej një pavijon i vogël që shërbente si maternitet për lindjen e lopëve.

Ne kishim nisur të bisedonim me Dashurinë e pak më vonë na bashkohet edhe i shoqi.
Dashuria dhe bashkëshorti Gëzimi e kanë marrë fermën si ndërtesë në vitin 1991 prej kooperativës së asaj kohe. Ka nisur si fermë e vogël, mandej e ka shtuar me 6 krerë në vitin 2006. Më pas krerët u shtuan deri në 18 të tillë dhe e Dashuria e regjistroi fermën si biznes me nipt dhe TVSH.

Prej 2006-ës ajo dhe i shoqi kanë mbetur gjyqeve sepse nuk arrijnë të marrin dot certifikatën e pronësisë për tokën prej 2 dynymësh që e kanë marrë në 1991-in me ligjin 7501.

“Për arsye të disa personave ziliqarë nuk na është bërë legalizimi i fermës që të na dalë certifikata e pronësisë. Kam kaluar 4 gjyqtarë e katër avoketër dhe asgjë. Për këtë arsye nuk kam marrë asnjë subvencion nga shteti. Vetëm kam investuar dhe jam drejt falimentimit”, thotë bashkëshorti i Dashurisë, Gëzimi.

Të dy bashkëshortët kanë investuar në fermë mbi 3 mln lekë. Por puna ka rënë, thonë ata dhe prej një viti Dashuria e ka çregjistruar fermën si biznes e aktualisht mbart vetëm certifiaktën e fermerit.

“Nuk ka pasur as ujë të pishëm, as garderobë, as vendqëndrim për rojen. Nuk mund të ndërtojmë dot sepse nuk marim dot leje nga bashkia për shkak se nuk kemi çertifikatë pronësie”, thotë Gëzimi duke më treguar kushtet e mjerueshme sipas tij ku duhet të qëndrojë roja për t'u kujdesur për fermën.

Gëzim Xhahillari

Dashuria prodhon 1 kuintal qumësht në ditë prej 12 krerëve lopë që ka ferma e saj. Ajo nuk mund ta shesë qumështin tek fabrikat e mëdha sespe është larg dhe ka kosto të papërballueshme për të.

“Kam shitur tek baxho Sofiani në Mbrakull. Baxhoja është nga e keqja sepse nuk ia vlen me aq lekë. Këto ditë nuk na i ka marrë baxho në shenjë proteste. Ne i bashkohemi shqetësimit të gjithë fererëve sepse jemi më të prekurit. Deri para tre muajsh baxho na i merrte litrin e qumështit me 43 lekë e pastaj e uli në 40 lekë kur mësuan për ndryshimin e skemës së TVSH-së e tani na thanë se do ta ulin akoma më shumë çmimin e qumështit që mund të na i blejnë. Ne nuk do ua shesim më. Nuk na leverdis”- më shpjegon Dashuria.

Ajo dhe i shoqi më sqarojnë se ferma ka shumë kosto; që nga tagjia, uji, dritat, qiraja e tokës, puna, mjetet, plehrat, farat etj. Prej një viti ata e kanë lënë tokën prej 1,5 ha sepse në bazë të llogarive iu leverdisë më shumë të blejnë ushqimin e lopëve në Myzeqe, se sa të punojnë tokën dhe të prodhojnë vetë ushqim për lopët.

Dashuria dhe Gëzimi thonë se u leverdis ta shesin qumështin në treg të lirë me 60 lekë/litri.

Megjithatë, “nuk po ia dalim dot. Po shkojmë drejt falimentimit. Duam subvencion pa kritere. Në të kundërt ne do ta mbyllim fermën. Nuk kemi asnjë arsye për të vazhduar”, thotë Dashuria.

Ajo dhe bashkëshorti kanë një djalë 24 vjeç. Deri gjashtë muaj më pari, i riu i çiftit punonte dhe ai në fermë. Por, tani, më shpjegon Dashuria “i kemi humbur shpresat dhe nuk donim ta mbanim djalin peng, prandaj vendosëm ta dërgonim në shkollë për kuzhinier.
Dashuria dhe Gëzimi kanë vetëm fermën si burim të ardhurash, asgjë tjetër.

Nga ferma ata kanë 150.000 lekë qarkullim në muaj, “por as 1/3 fitim, thotë Dashuria”, të ardhura që sipas saj nuk i dalin dot as të mbajnë djalin në shkollë.

“Nuk na ka ardhur asnjëherë sikur një përfaqësues nga shteti, nga bashkia, a komuna, për të na pyetur çfarë problematikash kemi. Ka ardhur një herë kryeministri Rama për fushatë dhe i kam thënë: jam e vetmja fermere femër në gjithë Beratin e Skraparin dhe nuk kam marrë kurrë subvencion, po falimentoj. Ai vuri duart në kokë dhe i kërkoi deputetit të zonës të merrej me rastin tim, por askush nuk u kujtua më për ne. Nuk na japin as çertifikatën e 2 dynymshit që kemi marrë në 1991 me ligjin 7501”, shpjegon Dashuria.

Nëse gjërat nuk ndryshojnë shpejt, Dashuria dhe bashkëshorti do ta mbyllin fermën, sepse as ta shesin nuk do të kenë mundësi për shkak se është pa çertifikatë pronësie. Zgjidhjen e vetme mandej, ata shohin emigracionin.

“Do falimentojmë, do ta mbyllim e do të ikim edhe ne jashtë si të tjerët”, më thotë Dashuria e cila më drejtohet “Dua një arsye për të vazhduar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë