Treg

Fermerët lushnjarë nuk ndalen, mbushin asfaltin me domate: Duam kompensim

Shoqata e Fermerëve të Myzeqesë ka vijuar edhe sot protestën duke i kërkuar qeverisë subvecion për çdo produkt të shitur apo të shkuar dëm. Manifestimi i fermerëve u zhvillua në orën 11.00 tek rrethrrotullimi Savër-Lushnje. Sipas fermerëve kauza e tyre është qartësisht ekonomike dhe nuk ka asnjë lidhje me politikën.

Fermerët e Myzeqesë kanë vazhduar të kërkojnë edhe sot gjatë manifestimit mbështetje direkte financiare duke subvecionuar për çdo njësi produkti të hedhur në treg kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe stimulim të eksportuesëve .
Ata kanë kërkuar gjithashtu kompensim me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çregullime të forta tregut.

Pavarësisht se ata kanë prodhuar përpara sezonit, në padijeni të paketës së re fiskale të 2019-ës që nuk rimburson më tregtarët dhe në një sezon që I gjithë rajoni gëozn prodhimet e tij, fermerët këmbëngulin që qeveria tu rimbursojë prodhimin e mbetur stok.

Ata i kanë kërkuar qeverisë që në paketën fiskale 2020 të rregullohet TVSH-ja për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse sipas fermerëve, aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së (0-20%) nga blerja tek shitja për të njëjtin produkt dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensimi i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë, thonë fermerët, i ka detyruar të furnizohen me produktet analoge nga importi dhe të braktisin produktin vendas.

Fondet për bujqësinë, Çuçi në Lezhë

Teksa fermerët e Lushnjes protestonin, Ministri i Bujqësisë Çuçi ndodhej në Lezhë për të preznatuar fondet e bujqësisë.

Ministri Blendi Çuçi në Lezhë

Ai u ka bërë thirrje fermerëve dhe sipërmarrësve në fushën e agrobiznesit të aplikojnë për fondet e programit IPARD. Gjatë një takimi në Lezhë, në kuadër të fushatës informuese të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për thirrjen e dytë të IPARD, ministri tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësistë që të jetë përfitues në një nivel të kënaqshëm e fondeve të Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë.

“Pavarësisht se në pamje të parë na duken të vështira, se na kërkohen dokumenta voluminoze, prapë po të bëhen me kujdes, unë jam i bindur se brenda thirrjes së dytë ne mund ta dyfishojmë numrin e kontratave të lidhura”, u shpreh ministri Çuçi.

Në vijim të bashkëbisedimit me fermerët e Lezhës, Ministri i Bujqësisë u ndal edhe tek Skema Kombëtare, e cila tha ai, nuk mund të dublojë programin IPARD, prandaj është fokusuar në pikat më vulnerabël të sektorit bujqësor.

“Fokusi që ne kemi vënë sidomos në forcimin e hallkave kyçe të sektorit që lidhet kryesisht me gjetjen e tregut për shitjen e produkteve bujqësore dhe forcimin e agropërpunimit, mendoj se po japin frytet e veta. Jemi ende në fillime, por po të vazhdojmë të përqëndrohemi në këtë drejtim, besoj se shumë shpejt do të kemi një sektor me zhvillim të qëndrueshëm”, tha ministri Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë