Treg

E vërteta e domates së Lushnjes

Sabina Veizaj – Kur fermerët e Lushnjes protestuan në fillim të kësaj jave, në një nga pankartat që mbanin në dorë lexohej: “Domatja e Myzeqesë është futur në Europë, po ju po na falimentoni”.

Në Lushnje domatja e dorës së dytë siç i thonë fermerët, ka dalë shpejt në treg dhe ka prodhim më shumë se një vit më parë. Zakonisht ky lloj prodhimi del në fund të tetorit, por me qëllim që t’ua shesin tregtarëve për eksport dhe të favorizuar nga klima me temperatura më të larta, fermrët e afruan në kohë prodhimin e domates.

Por sasitë e mëdha dhe përpara kohe rezultuan një zhgënjim për ta, sepse klima ka favorizuar edhe vendet e rajonit e të Europës ku eksportonin tregtarët shqiptarë. Por meqë shumë prejt tyre nuk kanë nënshkruar parakontratat e shitjes për këtë periudhë prodhimi, domatja tani u ka mbetur stok. Protestuesit të ndodhur pikërisht në këtë situatë të paparashikuar, kërkonin nga qeveria që të rimbursoheshin me çmim dysheme për raste kur ka çrregullime të tregut si ky rast.

Nedrete Arapi është fermere dhe eksportuese gjithashtu. Ajo eksporton fruta-perime në mbi 20 shtete prej 15 vitesh. Ajo ngarkon 1000 kamionë në vit me 22 ton secilin.

Nedrete Arapi, sipërnarrëse, eksportuese


Nedretja i pohoi Gazetës “Si” se ngrohja globale ka bërë që temperaturat të jenë më të larta këtë vit dhe stina e ngrohtë të zgjatej, “kështu që fermerët kanë prodhuar para kohe dhe me sasi më të mëdha e u ka ngelur prodhimi stok. Sepse klima e ngrohtë është e njëjtë edhe në vendet ku ne eksportojmë. Serbia edhe tani që po flasim ka specin e fushës në treg. Edhe domaten e fushës e kanë 30 cent. Pse u duhen prodhimet tona të serës, kur ne mund t'ua çojmë domaten 45-50 cent?”

Ajo thotë se edhe vetë gjatë periudhës shtator-tetor ka humbur 40 mijë euro ose ka eksportuar 2 kamionë më pak se në të njëjtën periudhë të 2017-s dhe 2018-s.
“Fermerët vitin e ardhshëm duhet të marrin masa që të prodhojnë në kohën e duhur. Ne nuk po eksportojmë dot prodhimet tona, jo më t'ua marrim atyre. Ata nuk kanë fuqi dhe prodhimi stok i çon drejt falimentimit. Unë prodhimin që më ka mbetur kam marrë gra ta qërojnë me dorë fletë për fletë”, shprehet sipërmarrësja Nedrete Arapi.

Drejtoresha e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Enida Sheba sqaron për Gazetën “Si” se fermerët nuk kanë studiuar tregun dhe nuk kanë bërë parakontrata, prandaj kanë prodhuar në sasi të mëdha dhe përpara kohe dhe është krijuar kjo situatë.

"Fermerët të favorizuar nga klima, kanë prodhuar para kohe domaten dhe kastravecin që duhet ta prodhonin në nëntor. E kanë planifikuar keq për të përfituar. Në këtë kohë rajoni ka shumë ofertë dhe fermerëve shqiptarë u ka mbetur domatja stok. Ky është problemi", shprehen nga Ministria e Bujqësië.

Por çfarë ka përtej klimës?

Eksperti fiskal Uran Derr,i i cili është edhe sipërmarrës në fushën e tregtimit të prodhimeve bujqësore, e shpjegon ndryshe situatën.

Sipas tij, stoku i mbetur i prodhimit të domates së vendit e ka burimin tek ndryshimi i Paketës Fiskale 2019, e cila hyri në fuqi në janar të këtij viti dhe fermerët, thotë ai, as nuk e lexojnë ligjin, as nuk i informon njeri.

“Në vitin 2014 u ndryshua ligji dhe fermeri vetëfaturohej për TVSH-në 20%. Nuk kishte kosto. Ekonomia përfitoi sepse sektori shkoi drejt formalizimit. TVSH që të kreditohet, duhet ta ketë paguar dikush. Por firmat e eksportit abuzuan duke krijuar ferma fiktive, merrnin fatura fiktive pafund dhe kreditonin vetë 20%. Ata eksportonin edhe domate për salcë me 15 lekë në Greqi. Nuk u interesonte fitimi, dilnin edhe me humbje, vetëm të përfitonin rimbursimin e TVSH-së. Eksportuesit bënë eksport vërtet fiktiv me fatura, por detyroheshin të bënin edhe eksportin fizik sepse kishte kërkesa”, shpjegon eksperti Uran Derri.
Prandaj, sqaron më tej ai, u rrit kërkesa në 2017-2018 dhe fermerët prodhuan shumë më shumë duke sjellë dyfishim të eksporteve në secilin vit.

“Kjo ishte arsyeja që u rrit edhe çmimi i patates dhe qepës në vend vitin e shkuar. Por financat publike u përkeqësuan dhe qeveria vendosi të ndryshonte Paketën Fiskale, e cila hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti. Paketa e re Fiskale detyronte për të gjitha produktet bujqësore njohjen në blerje 6% të TVSH-së dhe në shitje 20%. Fermerët nuk e njohin ligjin dhe nuk ka një rregullator tregtar t’i informojë. Dhe eksporti u kthye në gjendjen reale këtë vit”, sqaron eksperti Uran Derri.

Sipas tij, tregtari nuk ia blen fermerit sepse duhet të rrisë çmimin në 70 cent. "Ne - vijon të sqarojë eksperti për Gazetën “Si” - eksportojmë domate C2, jo cilësore, dhe vendet që importojnë nëse e marrin, e kërkojnë me çmim të ulët". "Aktualisht të gjitha vendet e rajonit kanë prodhimin e vet dhe nuk u intereson të marrin të njëjtin cilësi produkti me çmim më të lartë, konsumojnë produktin e tyre”, thotë eksperti Derri.
Por një mundësi që domatet e fermerëve të Myzeqesë të mos derdheshin rrugëve, do të ishte shitja në tregun vendas.

Gazeta “Si” bëri një vëzhgim në tregjet e fruta-perimeve në qendër të kryeqytetit. Në të gjitha pikat e vogla gjeje vetëm domate vendi. Domate importi mund të gjeje vetëm në njësi të mëdha tregtimi (supermarket). Tregu dukej i mbingopur dhe prodhimi nuk mund të konsumohet i gjithi nga familjet. Një mundësi janë konsumatorët e mëdhenj.

Por Uran Derri thotë se të paktën as supermarketet nuk e duan cilësinë e ulët të domates së vendit. “Unë domaten që prodhoj vetë e kam shpënë tek CONAD dhe nuk ma kanë pranuar, sepse i zoti më ka shpjeguar që e importon nga Monopoli në Itali të cilësisë së parë”, thotë eksperti, duke na bërë me dije se domatja ka më shumë se 10 lloje varietetesh dhe cilësish. Në Shqipëri, domate premium e cilësisë së lartë prodhohet vetëm 5 tonë, por nevojat e tregut janë më të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë