Futboll

“Fenomeni” bëhet pronar, investon 30 mln euro për klubin spanjoll

Një Ronaldo ikën nga Spanja, një tjetër Ronaldo kthehet. Luiz Nazario de Lima, i njohur si “Fenomeni”, kthehet në Spanjë pas shumë vitesh,  këtë herë si investitor. Ish-ylli i Barcelonës dhe Realit të Madridit, por edhe Interit e Milanit, ka vendosur të blejë klubin e Valadolidit, i ngjitur në elitën e futbollit spanjoll këtë sezon. Lajmi është bërë i ditur në Spanjë nga “Cadena Ser”, më pas është konfirmuar edhe nga e përditshmja “Marca”.

Braziliani i famshëm, tri herë fitues i “Topit të artë”, mësohet se është gati të investojë 30 milionë euro për të blerë shumicën e aksioneve të Valadolidit, duke u bërë kështu edhe president i këtij klubi. Presidenti aktual i skuadrës spanjolle, që është duke lënë këtë detyrë, ka preferuar të refuzojë oferta të tjera më të larta financiare për të favorizuar ardhjen e “Fenomenit”, i cili fillimisht duhet të stabilizojë arkën e një klubi që është në borxhe.

Ronaldo "Fenomeni", ish-sulmuesi i famshëm brazilian

Pasi të firmoset kontrata, Ronaldo do të marrë edhe detyrën e drejtuesit kryesor të Valadolidit, ndërsa presidenti aktual, Karlos Suarez, do të kalojë në rolin e administratorit të deleguar. “Fenomeni” është duke mbyllur me sukses bisedimet e nisura shumë muaj më parë, madje kjo pistë dukej se ishte sfumuar, pasi doli në skenë edhe biznesmeni i fuqishëm meksikan, Ernesto Tinajero. Vetëm ditët e fundit Ronaldo arriti ta zhbllokojë situatën dhe tani është gati të kthehet në futbollin spanjoll si drejtues. Ish-sulmuesi brazilian ka kaluar në Spanjë një pjesë të mirë të karrierës së tij. Kur luante me Barcelonën dhe Realin e Madridit ka mahnitur botën me lojën dhe golat e tij fantastikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë