Njerez

Fëmijët prindër – Në Shqipëri fenomenin e kryeson Fieri

Një lajm, mbi një vajzë nga Elbasani, që ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë në moshën trembëdhjetë vjeçare, në spitalin rajonal të Gjakovës, ka sjellë edhe njëherë në fokus fenomenin e shtatzënive dhe lindjeve tek adoleshentet. Foshnja, një vajzë e lindur parakohe, nga nëna e saj e lindur në vitin 2005, thuhet se nga një marrëdhënie incestuale, është braktisur në maternitet dhe në janar të 2019-ës, pritet të dërgohet në institucionet e fëmijës.

Pak ditë më parë ishte kompozitori Adrian Hila, që u paraqit në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar me një këngë, të interpretuar nga dy të rinj, Marko Strazimiri dhe Imbro Manaj, që e solli në diskutim, përmes artit këtë fenomen, me këngën titulluar “Leyla”, rreth një vajze në të katërmbëdhjetat e saj, e cila bëhet nënë. Një problematikë e përhapur në të gjithë botën, ku pak muaj më parë, në qershor të 2018-ës, CNN raportonte shtatzëninë e një vajze vetëm 11 vjeç, viktimë e përdhunimit, në Paraguai. Bashkë me shqetësimin e ngritur shpesh nga Organizata Botërore e Shëndetit, ku çdo vit, janë rreth dy milionë vajza nga mosha 15 deri 19 vjeç që sjellin në jetë fëmijë, duke ndërprerë kështu edhe edukimin e tyre, për shkak të kushteve të reja në të cilat gjenden, është edhe ai i ngritur nga UNICEF , rreth martesave të fëmijëve, ku sipas të dhënave çdo vit janë rreth 12 milionë vajza që martohen nën moshën 18 vjeç.

Në vende si India, këto bashkime nisin që kur vajzat janë rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeç. Janë 23 vajza që martohen çdo minutë dhe thuajse një në çdo dy sekonda. Edhe këngëtarja nga Kosova, Fatime Kosumi e cila e ushtron aktivitetin e saj në Gjermani, e njohur me emrin e artit Andrra, ka realizuar një album muzikor, mbi martesat e vajzave në moshë të mitur, traditë e shoqërisë patriarkale, në shoqërinë shqiptare, që ende ndodh në zona të izoluara, ndër trojet shqiptare. Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor për periudhën 2017 – 2018, prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tregon se përqindja e vajzave të moshës 15 deri 19 vjeç, të cilat kanë lindur fëmijë, ka pësuar rritje nga periudha 2008 -2009, kur ishte 2.8 përqind, në 3.5 përqind në periudhën 2017 -2018.

Në të gjithë botën, shtatzënitë në adoleshencë priren të ndodhin më shumë tek grupet e margjinalizuara, të karakterizuar zakonisht nga varfëria dhe mungesa e arsimimit dhe mundësive për t’u punësuar. Edhe për braktisjen e foshnjave të porsalindura nga nënat, mjekët shohin si një prej shkaqeve kryesore, bashkë me kushtet e këqija ekonomike, lindjet në moshë të hershme.
Ky studim tregon se përqindja e adoleshenteve shqiptare, të cilat janë bërë nëna është 9 përqind tek ato me arsimim nëntëvjeçar, krahasuar me 1 përqind me arsim të mesëm, ose profesional. Por ky fenomen nuk është vërejtur tek vajzat me arsim universitar.


Të ardhurat ekonomike gjithashtu duket se ndikojnë në predispozitat për mëmësinë në adoleshencë, ku 6 përqind e adoleshenteve me të ardhura të ulëta kanë lindur fëmijë, krahasuar me 1 përqind tek ato me të ardhura të larta ekonomike. Fieri është edhe qarku me numrin më të larta të vajzave, të cilat janë bërë nëna në vitet e adoleshencës, me 7 përqind, ndjekur nga
Durrësi dhe Vlora, me 6 përqind të vajzave-nëna në adoleshencë dhe Korça me 4 përqind. në Korçë, brenda dhjetë muajve, pak më shumë sesa koha që duhet për të sjellë në jetë një fëmijë, ishin trembëdhjetë vajza që lanë përgjithnjë lojërat për t’u bërë nëna, përpara se të mbushnin 18 vjeç. Për vitin e kaluar, vetëm në një prej materniteteve të Tiranës, ishin njëzet foshnja të braktisura, që sipas mjekëve një prej arsyeve të braktisjes është pikërisht mosha e mitur. Në Shqipëri, një në njëzet aborte, kryhet tek një vajzë adoleshente, që jo gjithnjë, janë nga zonat rurale, por jetojnë zonat urbane, si Tirana.

Teen mothers said they didn’t follow advice to keep blankets and pillows out of the baby’s crib, a study finds.

Shtatzënia në adoleshencë, lindja e fëmijës në moshë të re dhe mëmësia në adoleshencë kanë pasoja negative socio-ekonomike dhe shëndetësore. Studimet ndërkombëtare tregojnë se ato gra që bëheshin nëna në moshë adoleshence rrezikonin sëmundje kardiovaskulare në faza më të mëvonshme të jetës, si edhe kishin prirjen të kalonin menopauzë të hershme. Por shumë prej këtyre vajzave, në të gjithë botën humbasin jetën nga komplikacionet e lindjes. Gjithashtu, lindja e fëmijës gjatë viteve të adoleshencës ka edhe pasoja sociale, sidomos në arsimim, pasi gratë që bëhen nëna në adoleshencë janë më pak të predispozuara që të vazhdojnë arsimin e lartë.

 

Më Shumë